UCL, rikthimi i duelit “old-fashion”

Sport

ucl gjys
Pakkush i priste mes “4 fantastikëve” të Evropës. Edhe sepse Liverpuli e Roma thuajse kishin kaluar në harresë, sa i takon përplasjeve në nivele, si ato të Champions. Për të gjetur një të tillë duhet të kthesh kohën 34 vjet prapa. Atëherë kur më 30 maj 1984 luhej finalja e Kupës së Kampioneve – Champions League e sotme. Ndryshimi nga sfida e parë gjysmëfinale e këtij viti është se luhej në “Olimpik”. Ajo përballje u zgjidh me penallti në favor të Liverpulit, pasi 90 minutat e rregullta u mbyllën 1-1. “Show” unik i portierit mik, Grobelar u kushtoi shtrenjtë verdhekuqve, teksa “Reds” ngritën në qiell trofeun e Kampionëve numër 4. Nga ai moment, anglezët u kthyen edhe dy herë të tjera në finale, duke e fituar vetëm një herë në 2005-n ndaj Milanit në Stamboll. Tashmë, Liverpul rivjen vetëm një hap larg finales, pas mungesës prej një dekade: në gjysmëfinalen e fundit, atë të 2008-s, eleminohej nga Chelsea.

ucl gjys

Gjithsesi, për skuadrën e Premier League, që njësoj si Roma, është në pronësi të një amerikani nga Bostoni, kjo do të jetë hera e dhjetë që është pjesë e G4-s së Evropës. Deri tani e ka kaluar vetëm 7 herë. Këtë luks nuk e kanë kryeqytetasit italianë, që e shohin veten në një gjysmëfinale për herë të dytë prej ’84-s. Duket sikur ka kaluar një jetë… një epokë. Por futbolli është i tillë… Herët a vonë ofron shansin për revansh. E ja që, ndoshta, ua ka dhënë edhe De Rosit me shokë, për të cilët duket se nuk ka gjë të pamundur… Mirëpo Liverpuli nuk është Barcelona. Për të flet sidomos përvoja e 5 trofeve të fituar në kompeticionin e Kampionëve. Pa harruar as faktin që prej gushtit të kaluar, është i vetmi ekip, ende i pamposhtur në rang evropian.