Real Madrid triumfon në “Stadio Diego Armando Maradona” dhe kryeson i vetëm Grupin C. Në javën e dytë të fazës së grupeve të UEFA Champions League, Los Blancos mposhtën Napolin me rezultatin 3-2, në një sfidë që në tërësi të saj, dhuroi spektakël të vërtetë.
Ishin italianët ata që kaluan të parët në epërsi në minutën e 19 me anë të mbrojtësit Ostegard, por epërsia e kampionëve të Italisë do të zgjaste vetëm 8 minuta teksa Bellingham asistoi për Vinicius Junior dhe ky i fundit, e dërgoi topin në fundin e rrjetës.
Për Vinicius, ky ishte goli i 16-të në Champions League me fanellën e Real Madrid, duke u barazuar në këtë mënyrë legjendën e klubit Roberto Carlos. Një tjetër finalizim, do ta bënte sulmuesin, lojtarin brazilian që ka shënuar më shumë gola në Champions me Realin.
Në të 34-tën, ishte radha e Jude Bellingham, i cili e mori topin nga një distancë prej rreth 40 metrash dhe në fund arriti të shënonte vetë. Në këtë mënyrë, anglezi është bërë lojtari i 3-të i Realit, i cili shënon në secilën prej dy ndeshjeve të para në Champions. Një gjë të tillë përpara tij e kanë bërë Christian Karembeu në vitin 1998 dhe Cristiano Ronaldo në 2009-tën.
Teksa Reali kryeson kësisoj Grupin C me 6 pikë, Napoli mbetet në vend të dytë me 3 pikë, po aq sa edhe Braga, që në javën e dytë, triumfoi 3-2 në transfertë ndaj Union Berlin. Pavarësisht se kaluan në epërsinë e dy golave, gjermanët nuk e ruajtën dot avantazhin dhe në rrethana si këto, mbeten në vend të fundit me zero pikë.