UCL, Real Madrid – Liverpool ; Si mund të vendoset finalja…

Sport

kiev finale stadio
Kampionët në fuqi të Evropës janë padyshim skuadra më e suksesshme e historisë së Uefa Champions League. Ardhja e Real Madrid në finale për shumë tifozë nuk përbën më lajm. Madrilenët në raundet paraardhëse kanë nxjerrë jashtë kompeticionit kampionët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Nga statistikat e sfidave të kaluara, kuptohet që “los blancos” u mjaftojnë vetëm 20 minuta për të thyer çdo mbrojtje me talentet e tyre në sulm.  Këtu mund të lindë një problem për Zinedine Zidane. Mbrojtësit anësorë të formacionit të tij, Dani Carvajal dhe Marcelo janë të predispozuar të mbështesin më shumë sulmin, çfarë mund të përkthehet në hapësirë në prapavijë për sulmuesit më të shpejtë e më efektivë të këtij sezoni, Mohamed Salah dhe Sadio Mane. Këta të fundit, së bashku me Firminon janë ndoshta arsyeja kryesore pse formacioni i Jurgen Klopp ka arritur në finalen e Kievit.

kiev kupa
Kështu dueli Mane-Carvajal dhe sidomos ai Marcelo-Salah, priten të jenë vendimtarë në këtë finale të madhe. Klopp e di se nuk mund ta ketë të lehtë ndaj mesfushës së Real Madrid të udhëhequr nga Toni Kroos dhe Luka Modriç, ndaj kalimi i shpejtë i topit në sulm, siç u pa ndaj Manchester City dhe Romës, duket të jetë zgjidhja më e mirë.
Nga ana tjetër, Cristian Ronaldo pritet sërish të jetë vendimtar për Zidane. Nëse portugezi është në një mbrëmje të mirë, atëherë për Real Madrid mund të jetë një tjetër mbrëmje e magjishme. Sa i përket Salah, Marcelo në intervistën e tij të fundit pati thënë se madrilenët nuk kanë asnjë plan special për ndaljen e egjiptianit. Deklarata me të cilat Salah është përballur edhe më parë, dhe që njeriu i rekordeve tek “the Reds” ka ditur se si t’u kundërpërgjigjet.