Finalja e 26 majit në Kiev do të jetë përballja e 6-të për sa i përket ndeshjeve Real Madrid-Liverpool në arenën Evropiane. Pesë të kaluarat flasin për 3 fitore të anglezëve dhe 2 të spanjollëve, me një total prej 10 golash të realizuar. Ronaldo dhe Benzema ishin autorë të katër golave në përballjen e fundit që daton sezonin 2014/15. Ishte Reali i Carlo Ancelottit dhe Liverpooli i Brendan Rodgers nuk kalonte dot as grupet. Por ky rezultat i tre sezoneve më parë vinte si hakmarrje ndaj atij turpërimi që Liverpooli i Rafa Benites i pati bërë në sezonin 2008/2009-të. Të kuqtë fitonin si në Madrid me golin e Benayoun, po ashtu edhe në Anfield me shifrat 4-0, ku në rrjetë shkonte dy herë edhe kapiteni Gerrard. Los Blancos të drejtuar nga Schuster eliminoheshin që në 1/8-at, gjë nuk përsëritet prej 10 vitesh. Por ajo që mbahet më së shumti mend nga kjo përballje është finalja e vitit 1981, luajtur në Paris. Të kuqtë e drejtuar nga i mirënjohuri Bob Paisley fitonin falë golit të Alan Kennedy. Që prej asaj kohe, kjo sfidë nuk ka luajtur kurrë për një trofe tjetër në Evropë, megjithëse dy skuadrat në fjalë janë më të titulluarat. Zinedine Zidane s’i ka ndeshur kurrë më parë, si Liverpoolin, po ashtu edhe trajnerin Jurgen Klopp, por krejt ndryshe është për gjermanin. Përballja e Kievit do jetë e 7-ta kundër Realit. Me Los Blancos ai u përball 6 herë kur ishte trajner i Dortmundit duke shijuar 3 fitore, ku e paharrueshme mbetet ajo e 5 viteve më parë sigluar 4-1 nga Lewandowski. Pikërisht ai sezon ishte dhe sezoni ku Klopp shkonte në finale, një finale e humbur më pas me Bayernin. Ndërkohë Olimpiyskyi ka kujtime të mira sidomos për kapitenin Sergio Ramos, i cili aty 6 vite më parë ngrinte titullin kampion Evrope me Spanjën dhe këtë sezon synon të ripërsërisë gjithçka edhe me Realin.