Një vit pas përballjes së fundit në Champions League, dueli klasik Real Madrid-Bayern ofron të njëjtin rezultat dhe të njëjtën sfidë për gjermanët. Përmbysjen në Bernabeu. Vitin që shkoi ata iu afruan afër përmbushjes së misionit, por të gjendur me 10 lojtarë nuk i përballuan dot madrilenët në pjesët shtesë. Në letër asgjë s’është ndryshe edhe këtë vit. 1-2 në Munich dhe Bayerni kampion i Gjermanisë që shkon në Bernabeu me plot dyzime, presione mediatike dhe vështirësi në organikë. Heynckess u detyrua të lërë pushim 8 lojtarë në Bundesligë dhe e fitoi gjithsesi 4-1 ndeshjen me Frankfurtin, ndeshje ku debutoi kosovari Meritan Shabani. 72-vjecarit i është dashtur të përgënjeshtrojë spekulimet se ka patur një zënkë me Lewandowskin, ndërsa lëndimi i Boateng ka lënë mbrojtjen me plot dyshime. Vetëm 5 herë ka ndodhur që një skuadër të përmbysë rezultatin e sfidës së parë të humbur në shtëpi dhe e fundit që e ka bërë këtë ka qenë Interi në sezonin 2010-2011-të dhe ia ka bërë Bayernit. Në anën tjetër edhe Reali i Madridit nuk është në pozitë të lehtë. Dëmtimi i Carvajal e ka lënë krahun e djathtë të mbrojtjes me mjaft dyzime për Zidane-in. Nacho apo eksperimenti Vazquez?! Në fundjavë në fitoren 2-1 ndaj Leganes, francezi eksperimentoi edhe me Casemiron në qendër, por të gjithë e dinë se ndaj Bayernit të martën s’ka vend për eksperimente. Prandaj dhe Zidane la pushim Ronaldon, Ramosin dhe Marcelon.