Real Madrid do të kërkojë të bëjë historinë dhe të fitojë për të tretin vit radhazi trofeun e Champions League, ku përballë do të ketë një nga skuadrat më sulmuese të këtij sezoni, Liverpoolin. Treshja e “the reds”, Salah-Firmino-Mane numërojnë deri më tani 29 gola në këtë edicion te Champions League-ës, ndërsa Reali krenohet me kryegolashënuesin Ronaldo, që ka shënuar 15 gola, ndërsa për të gjetur një tjetër golashënues tek madrilenët, duhet të zbresesh tek Benzema, me vetëm 4 gola. Megjithatë, këto statistika të sulmuesve të Liveprool nuk e trembin aspak kapitenin dhe liderin e Real Madrid, Sergio Ramos. 32-vjeçari shprehet se Salah me shokë meritojnë respekt, por “los blancos” nuk u tremben aspak.
“Salah është vetëm 1 nga 11 lojtarët që do të jenë në fushë. Gjatë karrierës jam përballur me sulmuesit më të mirë në botë. Kështu për mua nuk ka frikë, por vetëm respekt. Kanë arritur me meritë këtu.” Ramos shtoi gjithashtu se skuadra madrilene ndihet gati për të mbrojtur titullin dhe se tashmë ata dinë se si t’i luajnë finalet e këtij kompeticioni.