Nga hungarezi Viktor Kassai te turku Cuneyt Cakir, tifozët e Bayernit, por jo vetëm, kontestuan sërish gjykimet arbitrare në përballjen Real-Bayern të Champions League-ës, kësaj here të përfunduar 2-2. Vitin e kaluar Kassai ishte ai që u kritikua jashtë mase për atë karton të kuq të dhënë ndaj Arturo Vidalit, karton që i kushtoi Bayernit pjesët shtesë dhe eliminimin. Edhe këtë vit në ripërballjen në Bernabeu gjykimi nuk ishte ndër pikat e forta të sfidës. “Bernabeu është kthyer në një skenë krimi, aty të gjitha skuadrat ndihen të vjedhura” – ishte një nga komentet që u kthye në virale në rrjet, duke ironizuar jo vetëm sfidën klasike me bavarezët, por edhe kualifikimin me penallti të Realit ndaj Juventusit në çerek-finale. Ironikisht gazeta spanjolle Sport hapej të mërkurën me faqen e parë që shkruante “Pra është kështu që klasifikohet Madridi”.
Penalltia e pa-dhënë në një moment qartësisht të prekur me dorë nga Marcelo në fund të takimit ishte pretendimi më flagrant që kishin lojtarët dhe tifozët e Bayernit. Cakir ishte kategorik edhe në dy raste të tjera, ku në njërin prej tyre Lewandowksi u rrëzua në zonë, por asgjë. Ashtu si e do zakoni edhe shtypi katalan, thumbonte kualifikimin e Realit. “Kualifikim tipik i stilit madritist” – ishte komenti i Mundo Deportivos. Boateng, i cili nuk luante, reagoi në rrjetet sociale duke pyetur se si kishte mundësi që një penallti e atillë të mos jepej, ndërsa Vidal, gjithashtu në mungesë në Madrid, ishte më i drejtpërdrejtë dhe me më shumë shfryrje.