Ecurinë e përkryer në kampionat, Napoli e pasqyron edhe në Champions League. Të kaltërit fituan 2-0 takimin e vajtjes ndaj Frankfurtit në tokën gjermane. Ekipi i drejtuar nga Luciano Spalletti shpërdoroi një penallti në minutën e 36-të, teksa Kvica Kvaratskhelia gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Mirëpo vetëm 4 minuta më vonë, Victor Osihmen do të përshëndeste rrjetën, me sulmuesin që tashmë ka shënuar në 6 ndeshje të njëpasnjëshme në të gjitha kompeticionet.
Në pjesën e dytë, Di Lorenzo realizoi edhe të dytin për Napolin, me rezultatin që më pas do të mbetej i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit. Këtë herë ishte Kvaratskhelia ai që asistoi për anësorin e Napolit.
Në këtë mënyrë, vetëm 22 vjeç, Kvarastkhelia është bërë lojtari më i ri në moshë që kontribuon me më tepër se 5 gola brenda një edicioni në Champions League. Deri më tani, gjeorgjani ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 4 asist.
Ndonëse asgjë nuk ka përfunduar, kjo fitore në tokën gjermane, e afron Napolin gjithmonë e më shumë me fazën çerekfinale të Champions League. Dueli i kthimit ndaj Frankfurtit në stadiumin Diego Armando Maradona do luhet në datën 15 Mars.