“Besoj se futbolli italian duhet të ngre zërin, s’arrij ta kuptoj se pse nuk është sistemi VAR në Champions League” me këto fjalë e ka komentuar ndeshjen e kthimit Roma-Liverpool, drejtori sportiv i verdhekuqve Monchi. Jashtëzakonisht i zhgënjyer nga vendimet e arbitrit Damir Skomina, spanjolli tha se edhe në ndeshjen e parë kundër Liverpoolit një nga golat u realizua në pozicion jashtë loje ndërsa në ndeshjen e kthimit, sipas tij Romës nuk iu akorduan dy njëmbëdhjetë metërsha, në një kohë kur njëri prej rasteve ishte edhe për karton të kuq. “Ndryshon krejt loja, me ato raste e gjithë rrjedha e ndeshjes do ishte tjetër, besoj se zërin tani nuk duhet ta ngre vetëm Roma, por i gjithë futbolli italian sepse edhe Juventusi vuajti një gjë të tillë me Realin e Madridit. Kjo që ndodhi ishte e rëndë sepse luan edhe me zemrat e të gjithëve ne që po punojmë dhe po kështu edhe të tifozëve. Vitin tjetër duhet me patjetër VAR-i pasi këto gabime nuk tolerohen” – tha Monchi, i cili gjithsesi i uroi Liverpoolit suksese për finalen e Kievit.
Rastet e pretenduara ishin ato të Dzekos, i cili edhe pse u rrëzua në zonë, nuk u vërshëllye për faull por për pozicion jashtë loje, pozicion që nuk ishte. Në rastin tjetër Alexander-Arnold bën rolin e portierit në një goditje të El-Sharaawy-it, por asgjë. Këto raste kanë irituar edhe Presidentin e Romës James Pallotta, i cili ka këmbëngulur se të gjithë i panë rastet përvec gjyqtarëve në fushë “kjo ndeshje e tregoi se VAR-i është i domosdoshëm për kompeticione të të tilla niveleve” theksoi numri 1 i klubit verdhekuq.