UCL/ Masa të larta sigurie për ndeshjen PSG-Milan

Sport

Në prag të ndeshjes PSG – Milan, e vlefshme për javën e 3-të të Grupit F në UEFA Champions League, shtypi francez ka sinjalizuar se për të bërë të mundur mbarëvajtnen e sfidës, siguria nga autoritetet përgjegjëse duhet të jetë maksimale.

Në stadiumin “Parc des Princes” pritet të ketë një prezencë të tifozërisë së Napolit, të cilët do të përkrahin ekipin francez, për shkak të marrëdhënieve të mira që kanë me përkrahësit parizien, teksa kanë qenë këta të fundit që kanë bërë ftesën.

Sikurse shkruajnë mediat e atjeshme, numri i napoletanëve pritet të jetë i konsiderueshëm, ndërsa tifozë të Milanit, që do të udhëtojnë drejt qytetit të dritave, do të jenë plot 2 mijë, 500 prej të cilëve do të jenë ultras.

Tifozëria e Milanit dhe ajo e Napolit, i kanë raportet e krisura mes tyre dhe kjo është arsyeja që shkalla e sigurisë në Paris të jetë më e lartë se zakonisht.

Sfida e së Martës mbrëma, mes PSG dhe Milan, është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi kanë respektivisht nga 3 dhe 2 pikë në renditje, në atë që konsiderohet si Grupi i Ferrit, Grupi F.