Njësoj si vitin e kaluar, dueli mes Real Madrid dhe Bayern Munich nuk kaloji pa polemika. Pretendimet për penallti të bavarezëve në disa momente të sfidës nuk ndryshuan aspak vendimet e arbitrit Çakir, ku më e diskutuara, mbetet prekja me dorë e topit nga ana e Marcelos, brenda zonës së Real Madrid. Vetë mbrojtësi në intervistën pas ndeshjes së përfunduar në barazim 2-2, ka pranuar se topi ishte prekur me dorë prej tij dhe se gjermanëve iu mohua një penallti e drejtë.
Braziliani shprehej se gjyqtari gaboi në vendimin e tij por ndeshja pati disa momente te diskutueshme. Marcelo shton se ndonjëherë vendimet janë pro një skuadre e ndonjëherë kundra, por për të ky është futbolli. Kështu polemikat e kësaj sfide do t’i shtohen debatit të aplikimit ose jo të sistemit ´VAR´ në Champions League, diçka që nga ana e presidentit të UEFAs, Alexander Ceferin është mohuar me forcë vetëm pak kohë më parë.