UCL, ‘Marca’ i jep ‘Topin e Artë’ portierit Sommer pas paraqitjes ndaj Barcelonë

Sport

Yann Sommer ishte padyshim një nga elementët më të rëndësishëm të kualifikimit epik të Interit drejt finales së madhe të ‘Champions League’-ës. Portieri zviceran rezultoi sërish deçiziv për të tijët, sidomos në rastet e Eric Garcia dhe Lamine Yamal, çfarë e shpërblyen edhe me vlerësimin si ‘lojtari më i mirë i ndeshjes’ nga UEFA. Shpesh një hero i heshtur që qëndron jashtë skenave të protagonizmit, Sommer këtë herë nuk është anashkaluar, madje është vlerësuar edhe nga ana e vetë mediave spanjolle për paraqitjen e bërë gjatë kësaj ndeshje, por edhe përgjatë gjithë sezonit. Madje, e përditëshmja e mirënjohur ‘Marca’, e sheh portierin si një nga kandidatët e mundshëm edhe për ‘Topin e Artë’. Duke qenë se për këtë çmim ende nuk ka ndonjë kandidaturë të fortë, Yann Sommer, me paraqitjet e vazhdueshme sipas ‘Marca’-s e ka merituar të jetë të paktën një ndër emrat kandidatë.

Vetëm një herë ka ndodhur që ‘Topi i Artë’ të fitohet nga një portier, kur diçka të tillë e realizoi Lev Yashin. Emra si Dino Zoff e Gigi Buffon e mbyllën të dytët në listat e viteve 1973 dhe 2006. Po ashtu, këtij çmimi i janë afruar edhe Oliver Kahn, Manuel Neuer apo Ivo Viktor, ndërsa tani, mund të jetë momenti që edhe Yann Sommer të shohë emrin e tij mes atyre që do të jetë kandidatë në fund të vitit.

36-vjeçari zviceran u bë pjesë e Interit në verën e vitit 2023, kur u transferua nga Bayern për thuajse 7 milionë euro. Për shumë njerëz, Sommer u pa si një zgjidhje e momentit, por tani, edhe pse veteran, ai po jep më shumë se sa thjesht garanci mes portës së zikaltërve.