UCL/ Manchester City e nis me fitore, Provedel kthehet në heroin e Lazios

Sport

Kampionët e Manchester Cityt e kanë nisur me këmbën e mbarë mbrojtjen e titullit të Champions League. Në duelin e parë të fazës së grupeve, “qytetarët” pritën në shtëpi skuadrën e Crvena Zvezda, duel i vlefshëm për Grupin G, dhe arritën të fitonin me rezultatin 3-1.

Pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme, djemtë e drejtuar nga Pep Guardiola nuk po arrinin ta dërgonin dot topin në rrjetë, teksa në të 45-tën, ballkanasit kaluan në epërsi me anë të sulmuesit Osman Bukari, duke ndërtuar mjaft optimizëm për pjesën e dytë.

Megjithatë, panorama do të ishte krejtësisht e ndryshme. Të saporikthyer në fushë, kur nuk kishin kaluar as 120 sekonda, kampionët në fuqi gjetën rrugën e rrjetës me anë të Alvarez, i cili do të shënonte edhe të dytin në minutën e 60-të. Më tej, në të 73-tën, Rodri vulosi rezultatin e sfidës.

Në ndeshjen tjetër të Grupit G, Leipzig arriti një fitore tepër të rëndësishme në transfertën e Young Boys, me rezultatin 3-1. Zviceranët kishin plot 18 ndeshje të pamposhtur në shtëpi, duke regjistruar plot 15 fitore dhe vetëm 3 barazime. Mirëpo fortesa e quajtur “Vankdorf Stadium” u pushtua nga gjermanët e drejtuar nga Marco Rose.

Në Grupin E, ndeshje me përmasa dramatike ka marrë ajo në “Olimpico” mes Lazios dhe Atletico Madrid, që u mbyll me shifrat 1-1. Spanjollët kaluan në epërsi në minutën e 29-të të pjesës së parë dhe rezultatin arritën ta mbronin deri pak sekonda nga fundi, kur portieri i Lazios, Provedel, u kthye në heroin e skuadrës së tij, duke shënuar me kokë golin e barazimit.

Po në Grupin E, Feyenoord mposhti 2-0 skocezët e Celtic, me këta të fundit që përgjatë sfidës, u ndëshkuan edhe me dy kërtonë të kuq.