UCL, Man.City kalon mes rekordeve Realin; në Stamboll sërish finale anglo-italiane

Sport

Manchester City ka siguruar për herë të dytë në historinë e klubit, një finale të ‘UEFA Champions League’. Skuadra e Pep Guardiolas zhvilloi një ndeshje perfekte në Angli ndaj kampionëve në fuqi të Real Madrid, duke triumfuar 4-0, në një takim pa shumë histori. Bernardo Silva ishte ai që shënoi një dopietë brenda pjesës së parë, duke vendosur në pozita shumë të mira ‘cityzens’. Në pjesën e dytë, Reali provoi të sulmonte , por pa ia dalë të godasë portën e Ederson. City do të gjente golin e tretë në minutën e 76 me Manuel Akanji ndërkohë që festë do të kishte edhe për Julian Alvarez. Argjentinasi zëvendësoi Haaland në fundin e lojës dhe vetëm 2 minuta nga hedhja e tij në fushë, ia doli të vuloste rezultatin në 4-0. Kjo ishte humbja më e rëndë që Real Madrid ka pësuar në kompeticionet europiane, duke barazuar disfatë e pësuar në vitin 2009 ndaj Liverpool-it, po me të njëjtin rezultat.

Bernardo Silva u bë i treti lojtar që i shënon një dopietë Real Madrid në një gjysmëfinale të ‘Champions League’-ës, pas Lionel Messi-t dhe Rober Leëandoëski-t. Po ashtu, portugezi llogarit 71% të golave të tij të shënuar në këtë kompeticion, në fazën me eleminim direkt, duke treguar se sa vendimtar është në ndeshje të këtij kalibri. Për trajnerin Guardiola, ky ishte triumfi numër 100 që arrin në këtë kompeticion si trajner, duke u bërë i treti që e realizon diçka të tillë pas Alex Ferguson dhe Carlo Ancelotti-t. Trajneri i Real Madrid numëron tashmë 191 ndeshje në krye të stolit në ‘Champions’ duke parakaluar pikërisht Ferguson si trajneri me më shumë ndeshje në elitën e futbollit europian. Kështu, në Stamboll na pret një finale anglo-italiane, mes Manchester City dhe Inter. Si për ironi të fatit, herën e fundit që kemi parë diçka të tillë, ka ndodhur po në Stamboll, ku në vitin 2005, Liverpool dhe Milan diskutonin trofeun më të rëndësishëm për klube.