Anfield bëhet gati për të luajtur gjysmë-finalen e parë të Champions League-ës në këto 10 vitet e fundit dhe emocionet janë të papërshkrueshme atje. Pas një fundjave jo dhe aq pozitive, të martën, të kuqtë presin Romën. Në Premier, skuadra e Klopp e pa veten të barazohej 2-2 nga West Bromwich, skuadër kjo e cila në fillim të vitit i eliminoi edhe nga Kupa e Federatës. Megjithatë pati çaste për gëzim, sidomos për Momo Salahn. Egjiptiani realizoi golin e 31-të në Premier duke iu bashkuar emrave si Suarez, Ronaldo apo dhe Shearer, të cilët kanë shënuar kaq shumë në kampionat brenda një sezoni. Falë kësaj forme 25-vjeçari u vlerësua edhe me çmimin Lojtari i Vitit nga Shoqata e Futbollistëve Profesionist në Angli dhe të martën vëmendja maksimale shkon te ai kjo pasi përballë do të ketë ish-skuadrën, Romën. Verdhekuqtë e Di Francescos nga ana e tyre, fituan në fundjavë 3-0 transfertën me SPAL-in. Pas shumë rastesh të shpërdoruara, Patrik Schik shkoi në rrjetë për herë të parë në kampionat. Di Francesco e përgëzoi, megjithëse atë e shqetësuan disi problemet muskulore të Defrel dhe Kolarov. Për Liverpoolin probleme kanë patur Clyne, Can, Lallana dhe Matip. Italianët të marten do të mundohen të marrin frymëzim nga West Bromwich, e vetmja skuadër që ka fituar në Anfield këtë sezon, ndërsa Liverpool do të frymëzohet sërish te treshja e saj sulmuese e aftë për të realizuar 33 gola në Evropë.