Liverpool-Roma vë sot përballë dy lojtarë me karakteristika të ndryshme, por me plot të përbashkëta në përjetime njerëzore. Salah-Dzeko. Dy miq të mirë, që pasi gjetën sintoninë për dy sezone te Roma, sot do të jenë kundërshtarë. Të dy të rritur në luftëra dhe trazira, njëri në Sarajevën e masakrave të 92-95-ës, tjetri në luftën civile të protestave anti Mubarak. Për të dy rrugëtimi deri këtu, në Anfield, ka qenë jashtëzakonisht i vështirë. Rritur mes bombave, luftës së Bosnjes, dhe urisë, fëmijëria ishte tronditëse për Dzekon. Magjithatë dashuria për futbollin çeli shpresë për gjithcka. Tifoz i Milanit, Shevchenkos mbi të gjitha. Ushqehet me ëndrrën për t’ia dalë dhe çdo gjë shkon si në përralla. Në 2009-ën, ishte 22-vjeç te Wolfsburgu në Gjermani. Protagonist absolute në titullin e vetëm në historinë e ujqërve.
Suksesi e çoi në Manchester, jo te United, ku Ferguson e cilësonte të ngathët, por te City i Mancinit. Me ta fiton titullin e parë kampion pas 44 vitesh. Si kampion i sprovuar kalon te Roma, atje ku takohet dhe me njëfarë Mohamed Salah. Egjiptiani 7 vjet më i vogël vinte pas një përvoje të keqe me Mourinhon në Londër, një shkëlqim me Fiorentinën dhe me një fiksim të madh të tifozerisë për vrapin dhe buzëqeshjen e tij. Rritur në një fshat 150 kilometra larg Kairos, me emrin e profetit, Salah kishte lënë prapa Egjiptin e trazirave dhe me dashurinë e madhe për futbollin çliroi shpejt shpresat e një kombi të tërë duke i kualifikuar ata në botëror. Në Itali, vjet e ndihmoi Dzekon të shënojë 39 gola, ndërsa tanimë me fanellën e kuqe radha për të shënuar pafund është e tija. 41 herë në 46 ndeshje, gjithmonë i qeshur, gjithmonë i palodhur, harron çdo vuajtje kur luan në fushë. Si ai dhe Dzeko sot do të bëjnë të njëjtën gjë, sot si kundërshtarë, por jashtë fushe padiskutim miq të vërtetë.