Pesë vite më parë Robert Lewandowksi festonte me katër gishta një fitore historike kundër Realit të Madridit. U kishte shënuar katër herë madrilenëve duke u bërë i pari që realizon kaq shumë në një ndeshje gjysmë-finale të Champions League-ës. Dortmundi atë mbrëmje ishte trazuar pasi Mario Gotze kishte pranuar të kalonte te Bayerni. Lewa qe shprehur me tërbim nga ky largim duke deklaruar dashuri për ngjyrat verdhezi, por të njëjtën gjë do të bënte edhe vetë një vit më vonë. Gjithmonë është vlerësuar për marrëdhënien me golin, por kurrë në lartësi të njëjta me Ronaldon. Si një mendjemadh tipik, ai thotë të kundërtën. Në Munich sot përfiton 16 milionë euro në sezon dhe në gusht do të mbushë 30 vjeç.
Në Gjermani shifrat i ka justifikuar me 105 gola në 124 ndeshje të Bundesligës rekordmen si golashënuesi historik jo-gjerman me Bayernin. Por në Evropë s’është gjëkundi. Ronaldo, 3 vite më i madh se ai, ka 120 gola vetëm në Champions. Këtë sezon ka realizuar 15 herë, trefishin e Lewandowksit. Megjithatë ka pasur plot raportime që e shohin atë si një sulmues të ardhshëm të Realit në Madrid. Vitin e kaluar, polaku u diplomua për manaxhim sportiv me tezën “Robert Levandoski, rruga drejt suksesit”. Sot tifozët e Bayernit, por edhe vetë ambienti bavarez kërkon që mendjemadhësia e tij të justifikohet në fushë, pse jo me një tjetër mbrëmje magjike si ajo e 5 viteve më parë.