Klasikja e radhës Real-Bayern luan në Bernabeu aktin e dytë gjysmë-final të Champions League-ës. Kryendeshja e sezonit për të dyja skuadrat. Madrilenët e Zinedine Zidane në kërkim të finales së tretë radhazi ndërsa bavarezët e Jupp Heynckess në kërkim të asaj përmbysjeje që as Carlo Ancelotti nuk e arriti dot. Fitorja 1-2 në Munich për Los Blancos kishte si çmim lëndimet e Iscos dhe Carvajal. Prandaj sot pritet dy-fish punë për punëtorët Asensio dhe Lucas Vazques. Ky i fundit i gatshëm të luajë edhe si mbrojtës krahu. Në anën tjetër bavarezët humbën Boatengun dhe Arjen Robbenin, por lajmi i mirë për ta është rikthimi i Alabas. Kritikat dhe spekulimet lakuan jashtë mase emrin e Lewandowskit në fundjavë, por polaku ka gjetur përkrahjen e trajnerit Heynckess dhe të gjithë emrave të mëdhenj të Bayernit.
Detyra e tij të shpaguajë gjithçka sot. Synimi është i qartë, përmbysja në Bernabeu atje ku këtë sezon, Reali s’ka mundur të fitojë me asnjë nga 5 skuadrat kryesore të kampionatit Spanjoll. Humbje me Barcelonën, Villarrealin dhe Betisin, barazime me Valencian dhe Atleticon. Po kështu atje në Champions, nuk u shijuan fitore as kundër Tottenhamit dhe Juventusit. Ngushëllimi i vetëm qe PSG. Pra Bernabeu s’është më fortesa e dikurshme. Bayerni ka plot mundësi për frymëzim, por po aq ka edhe Ronaldo, krye-golashënuesi i këtij edicioni me 15 realizime, i cili përballë tifozerisë së tij ofron gjithmonë spektakël.