Interes i jashtëzakonshëm për finalen më të përsëritur të historisë së UEFA Champions League, mes Liverpool dhe Real Madrid. Në datën 28 Maj, në Stade de Paris, Europa do mësojë mbretin e saj të ri. Kjo është hera e 3-të që këto skuadra përballen në finalen e kompeticionit më madhështor të klubeve. Në dy rastet e mëparshme, secili ekip gëzon nga një fitore.
Mirëpo, këtë herë, situata duket disi kaotike, pasi është shumë e vështirë të gjesh një biletë dhe ta shohësh këtë sifdë nga shkallët e stadiumit. Nga 75 mijë vende që është kapaciteti maksimal i Stade de France, çdo skuadër do ketë nga 20 mijë bileta në dispozicion. 12 mijë të tjera do jenë neutral, ndërsa rreth 24 mijë mbeten në dorën e organizatorëve të UEFA-s. Në këto rrethana, tifozët e të dyja palëve, por sidomos ata të Liverpool, janë të pakënaqur me organin numër një të futbollit në kontinent.
Për të ndjekur nga pranë finalen e UEFA Champions League, një biletë ka pësuar rritje, krahasuar me çmimin e viteve të fundit. Që nga viti 2019, kur Liverpool luajti në finalen e Madridit, çmimi i biletës është rritur konkretisht me 38 %. Për këtë arsye, një grup i tifozërisë së The Reds, i quajtur, Spirit of Shankly, i ka adresuar një letër UEFA-s, teksa i ka parashtruar të gjitha pakënaqësitë e deritanishme.
Zëri i tifozëve të Liverpool ka marrë edhe përkrahjen e trajnerit të tyre, Jurgen Klopp, i cili ka thënë se UEFA i ka rritur çmimet, për të mbuluar humbjet e viteve të fundit. Ndëkohë, nuk ka vonuar as reagimi i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, që në fjalën e tij ka thënë se çdo gjë po kryhet sipas kontratës së nënshkruar dhe situata është tërësisht brenda normave.