Real Madrid ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën me eliminim të Champions League. Udhëhequr nga një Jude Bellingham në formë të jashtëzakonshme, në javën e 3-të të fazës së grupeve, dhe konkretisht të Grupit C, Los Blancos fituan 2-1 në transfertën e Bragas.
Sfida u zhbllokua në minutën e 16-të nga skuadra mike dhe autori i finalizimit ishte Rodrygo, i cili u rikthye tek goli pas një mungese të gjatë. Më pas, të dytin, do ta shënonte pikërisht futbollisti më në formë i spanjollëve, Bellingham. Në minutën e 61, britaniku gjuajti saktë në hyrje të zonës, duke ia bërë të pamundur portierit kundërshtar për të reaguar.
Ky ishte goli i 11-të i Bellingham me fanellën e Real Madrid në 12 ndeshje të luajtura në total, kurse ishte i 3-ti në Champions League në po kaq paraqitje. Në këtë mënyrë, Bellingham është bërë vetëm lojtari i 2-të në historinë e Real Madrid në Champions League që shënon 3 gola në 3 ndeshjet e para. Diçka të ngjashme përpara tij e ka bërë vetëm Christian Karembeu në vitin 1998-të.
Më pas, vetëm dy minuta më vonë, në të 63-tën, Djalo ngushtoi diferencën për Bragan, por rezultati do të mbetej i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.
Në duelin tjetër të Grupit C, Napoli ka marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në transfertën gjermane, ndaj skuadrës së Union Berlin. Ekipi i drejtuar nga Rudi Garcia triumfoi me rezultatin minimal 1-0, me golin që u shënua në minutën e 65-të nga Raspadori. Me këtë finalizim, Raspadori është bërë vetëm një nga 6 lojtarët e lindur pas vitit 2000 që shënon të paktën 5 gola në Champions League. Bashkë në listë me italianin janë edhe Bellingham, Rodrygo, Haaland, Vinicius dhe Alvarez.
Falë këtij trepikëshi, Napoli është ngjitur në kuotën e 6 pikëve në Grupin C, ndjekur nga Braga me 3, kurse Unioni i Berlinit, vijon të mos ketë asnjë pikë.