UCL/ Jude Bellingham nuk resht së thyeri rekorde me Real Madrid

Sport

Teksa fjalët për të përshkruar Jude Bellingham kanë mbaruar, lojtari në fjalë, nuk resht së thyeri rekorde me Real Madrid dhe së dhuruari spektakël në fushën e lojës. Me golin e shënuar të Mërkurën mbrëma ndaj Napolit, në atë fitore 4-2 të skuadrës madrilène, Bellingham është bërë lojtari i parë në historinë e Realit që shënon në secilën prej 4 ndeshjeve të tij të para në Champions League me fanellën e Los Blancos.

Por nuk mbaron me kaq. Vetëm 20 vjeç e 153 ditë, Bellingham është bërë lojtari i tretë më i ri që shënon 10 gola në Champions League. Përpara tij qëndrojnë vetëm Kylian Mbappe, 18 vjeç e 153 ditë dhe Erling Haaland, 19 vjeç e 212 ditë.

Në Bernabeu, vend për të lënë gjurmë do të kishte edhe për një tjetër lojtar të rëndësishëm të Realit, Rodrygo, i cili përgjatë ndeshjeve të fundit po përjeton një formë të pazakontë. Në 7 paraqitjet e tij të fundit në të gjitha kompeticionet, braziliani është përfshirë gjithësej në 11 gola me Realin, 7 finalizime dhe 4 asistime. Për të kuptuar më mirë diferencën, mjafton të përmendim këtu që në 12 ndeshjet e para të sezonit, Rodrygo, regjistronte vetëm një gol dhe një asist.

Nuk mbyllet me kaq. Deri në këtë fazë të sezonit, Real Madrid po funksionin për mrekulli dhe merita absolute në këtë drejtim shkon për trajnerin Carlo Ançelotti, i cili, ndonëse me sërë lojtarësh kryesor të dëmtuar, sërish ka arritur të marrë më të mirën nga organika që ka në dispozicion.

Tekniku italian tashmë ka prekur një rekord të rëndësishëm të historisë së Real Madrid. Ançelotti tashmë ka arritur 41 fitore në kupat europiane me Real Madrid dhe këtë e ka bërë në vetëm 55 ndeshje. Në këtë mënyrë, Açelotti ka barazuar rekordin e klubit, që mbahej nga Miguel Munoz, por këtij të fundit i janë dashur 71 ndeshje për të regjistruar një arritje të tillë.

Për t’u rikthyer në situatën e Grupit C, përveç Realit, që tashmë e ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë, vendi i dytë mbetet ende i papërcaktuar, ndonëse aty klasifikohet Napoli. Që skudra italiane të sigurojë një vend në 16 më të mirat e Europës, duhet të fitojë apo të barazojë në ndeshjen e fundit, atë ndaj Bragës në shtëpi.