Real Madrid fiton duelin hapës të sezonit të ri në UEFA Champions League. Ndaj Union Berlin në “Santiago Bernabeu”, sfidë evlefshme për Grupin C, Los Blancos nuk e patën aq të lehtë sa mendohej në fillim.
Fitorja rezultoi minimale, me rezultatin 1-0 dhe goli u shënua në minutën e 94 nga Jude Bellingham. Britaniku po rezulton transferimi më i suksesshëm i të gjithë merkatos së verës. Në 6 ndeshjet e para me fanellën e bardhë, Jude ka arritur të shënojë 6 gola, duke u kthyer kësisoj automatikisht në liderin dhe heroin e skuadrës së drejtuar nga Carlo Ançeloti.
Pak kush mund të kishte menduar se anglezi do të kthehej në goleadorin e ekipit, duke marrë parasysh që nuk është as sulmues i mirëfilltë, por është mesfushor me tipare sulmuese. Në fakt, këtu bën përjashtim trajneri Carlo Ançelotti, i cili në nisje të sezonit u shpreh se organika e tij nuk ka një nevojë për zëvendësuesin e të larguarit Karim Benzema, sepse atë tashmë e ka gjetur dhe ai është Bellingham. Në fillim, deklarata e teknikut italian u cilësua e nxituar, por që me kalimin e javëve po rezulton të jetë e vërtetë.
Me golin e shënuar ndaj Union Berlin, Bellingham u bë lojtari më i ri i Real Madrid në historinë e UEFA Champions League që shënon golin e fitores përtej minutës së 90-të. Por nuk mbyllet me kaq. Jude Bellingham është bërë vetëm lojtari i 4 i Real Madrid në shekullin e 21, që debuton me gol, si në kampionat, ashtu edhe në Champions League. Diçka të ngjashme përpara tij e kanë bërë vetëm Cristiano Ronaldo, Isco dhe Marco Asensio.
Më tej, teksa mbetemi në Grupin C, ndonëse me vështirësi, edhe Napoli e ka nisur me fitore sezonin e ri në Champions. Kampionët e Italisë, triumfuan 2-1 në transfertë ndaj Bragas. Për të besuarit e Rudi Garcias, realizoi në pjesën e parë Di Lorenzo, teksa dy minuta nga fundi morën një dhuratë nga mbrojtësi i Bragas, Niakate, i cili realizoi gol në portën e tij. Më herët, Bruma kishte barazuar përkohësisht shifrat për portugezët.
Kësisoj, mund të thuhet se Reali dhe Napoli e kanë nisur me këmbën e mbarë fazën e grupeve, ndërsa për të shpresuar qoftë edhe në pikën e parë, Union Berlin dhe Braga, duhet të presin ndeshjen e ardhshme.