Në datën 17 qershor, UEFA do të bëjë takimin final sa i përket vendimeve që do të merren për mbarëvajtjen e kompeticioneve europiane për këtë sezon. ‘Champions League’-a ka sigurisht vëmendjen kryesore dhe disa media angleze kanë provuar të zbulojnë idetë që do të diskutohen për rifillimin. Do të konfirmohet edhe njëherë fakti se finalja e këtij sezoni nuk do të zhvillohet në Stamboll. Madridi ishte marrë në konsideratë nga ana e UEFA-s, por mbyllja e ‘Santiago Bernabeu’-t, apo edhe prezenca e skuadrave spanjolle, kanë eleminuar këtë qytet si alternativë. Kështu, të gjitha faktet të çojnë drejt Lisbonës, që mund të vërë në dispozicion të UEFA-s, dy stadiume që i përmbushin të gjitha kushtet; ‘Estadio Da Luz’ dhe ‘Jose Alvalade’. Kompeticioni do të zhvillohet brenda muajit gusht, ku në javën e parë do të mbyllet edhe faza e 1/8-ave me katër ndeshjet e mbetura. Më pas, UEFA planifikon një garë mes 8 më të mirave, ku të gjitha ndeshjet pritet të zhvillohen me dyer të mbyllura në Lisbonë, me nga 1 takim, pra jo më me sistem vajtje-ardhje. Sa i përket datës së finales, me gjasa do të vuloset 23 gushti. Gjithësesi, UEFA pritet të hasë kundërshtimin e disa klubeve për këtë format, ndaj më 17 qershor, kur pritet të zyrtarizohet gjithçka, nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve të disa detajeve. Edhe kompeticioni më i vogël i kontinentit, ‘Europa League’, do të ketë një sistem të ngjashëm, pra me vetëm 1 takim në fazat finale. Për këtë kompeticion, UEFA mendon ta zhvillojë në Gjermani, si një nga vendet që e ka përballuar më mirë situatën kaotike të shkaktuar nga pandemia e ‘Covid-19’.