UCL, Istvan Kovacs do të gjykojë finalen; ja precedentët e skuadrave

Sport

Një arbitër rumun do të gjykojë finalen e madhe të ‘UEFA Champions League’ për këtë sezon. Istvan Kovacs është përzgjedhur nga ‘UEFA’ si njeriu i duhur për të vendosur drejtësi në takimin më të rëndësishëm të futbollit europian për klube, mes Interit dhe Paris SG. 40-vjeçari Kovacs ka gjykuar 7 ndeshje përgjatë këtij edicioni në ‘Champions League’, ku e fundit, ishte ajo e fazës së 1/8-ave mes Liverpool dhe Paris SG, që tani e rigjën sërish në finale. Në atë takim, francezët u kualifikuan më tej pas goditjes së penalltive. Por kjo nuk është ndeshja e vetme kur Kovacs është takuar me Paris SG.  Në fazën e ligës, ai vendosi drejtësi në sfidën mes Bayern dhe Parisit, të fituar nga gjermanët 1-0. Në atë takim, Kovacs nxorri kartonin e parë të kuq në këtë edicion, pas dy të verdhëve për Ousmane Dembele. Arbitri rumun ka nxjerrë kartonin e kuq edhe në një sfidë tjetër të fazës së ligës, ndërkohë që sa i përket kartonave të verdhë, 40-vjeçari ka një mesatare prej thuajse 3 kartonash për ndeshje. Po ashtu, po në fazën e ligës, Kovacs gjykoi Interin në fitoren 1-0 ndaj Arsenalit në shtëpi, ku akordoi edhe 11-metërshin në favor të zikaltërve. Në fakt, kjo është edhe penalltia e vetme e akorduar nga Kovacs në këtë sezon të ‘Champions’-it, teksa i njëjti emër vuri drejtësi edhe në përballjen e fazës ‘play-off’ mes Real Madrid dhe Manchester City.

I lindur më 16 shtator të 1984-ës, në Carei të Rumanisë, Istvan Kovacs bëri debutimin e tij si arbitër në ligën e parë në gushtin e 2007-ës. Që nga viti 2010, ai është edhe pjesë e skuadrës së arbitrave të FIFA-s, ndërkohë që në vendlinje, ushtron profesionin si mësues i edukimit fizik.

Sa i përket bilanceve me skuadrat e finales së 31 majit, Kovacs ka vendosur drejtësi në 3 ndeshje të Interit, me zikaltërit që kanë fituar 2 e kanë barazuar një. Ndërsa për Parisin, në pesë takime të gjykuara nga Kovacs, rezultati i ka buzëqeshur në fund francezëve në tre raste, teksa janë mposhtur dy herë, nga Newcastle në sezonin e kaluar dhe nga Bayern në fazën e ligës së këtij edicioni.