UCL, Interi kalon mes drithërimave; Milano mund të krenohet me të dyja skuadrat

Sport

Një barazim drithërues në ‘Do Dragao’ ka vendosur kualifimin e Interit për në fazën çerekfinale të ‘UEFA Champions League’, në një ndeshje që mbajti mes ankthit të gjithë tifozët deri në sekondën e fundit. Skuadra e Simone Inzaghi-t ia doli të mbronte atë gol të çmuar të Lukaku-t në takimin e parë, ndonëse iu desh t’i rezistonte një furie rastesh për Porton deri në fund. Fillimisht, Edin Dzeko pati shans të mirë për zikaltërit në minutën e 21, por që u ndal nga Diogo Costa. Ndërsa në fundin e pjesës së parë, portugezët iu afruan shumë golit. Rastet në portën e Interit shtoheshin minutë pas minuti, por Andre Onana ia doli të bënte më të mirën për të ndalur goditjet e kundërshtarëve. Portieri kamerunas do të kishte nevojë për ndihmën e Dumfries në minutën e pestë të shtesës, ndërkohë që në dy raste të tjera në fund, shtylla do të mbante të paprekur portën e italianëve. Inzaghi dhe të tijët ia dolën të rezistonin deri në fund, për një barazim që vlen kualifikimin drejt çerekfinaleve, pa pësuar as edhe një gol në dy takimet me Porton. Diçka e tillë për klubin italian nuk ndodhte që nga sezoni 2009/2010, ku kalonin pa pësuar rusët e CSKA së Moskës.

Në këtë mënyrë, Milano do t’i ketë të dyja skuadrat e qytetit mes 8 më të mirëve të Europës, çfarë nuk ndodhte që nga sezoni 2005/2006. 17 vite për të riparë futbollin italian në nivelet më të larta, ashtu si dikur. Si për ironi, edhe Milani, edhe Interi, ia dolën të kualifikoheshin me një gol në ‘San Siro’, ndërsa në transfertat angleze e portugeze, u mjaftuan me një barazim pa gola.