Interi fiton duelin e parë të raundit të 1/8-tave ndaj Portos në San Siro. Pas një pjese të parë të ekuilibruar në rezultat, episodet më të rëndësishme të sfidës do të ndodhnin në të dytën. Për të zotët e shtëpisë, situata u bë më e lehtë pas minutës së 78-të, sepse lojtari I miqve, Otavio mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës.
Këtë disavantazh numerik, Interi arriti ta shfrytëzonte mjaft mirë. Në të 86-tën, të besuarit e Simone Inzaghit gjetën rrugën e rrjetës me anë të sulmuesit Romelu Lukaku. Pas formës së dobët fizike dhe kritikave të shumta, belgu ka reaguar në momentin më të rëndësishëm dhe ky gol mund t’I shërbejë atij për t’u bërë më I dobishëm në vijimësi të sezonit.
Me këtë sukses të zikaltërve, 3 skuadra italiane kanë arritur t’I fitojnë ndeshjet e tyre të para të raundit të 1/8-tave, për herë të parë në historinë e UEFA Champions League, duke përendur këtu fitoren e Milanit dhe Napolit, konkretisht ndaj Tottenham dhe Frankfurtit.
Ndeshja e kthimit në “Estadio do Dragao” mes Portos dhe Interit, do luhet në datën 14 Mars, aty ku do mësojmë përfundimisht se cila prej skuadrave do kualifikohet në çerekfinale të Champions League.