Për të dytën herë në historinë e kompeticionit, finalja e ‘Champions League’-ës do të vendos përballë një skuadër italiane dhe një franceze. Inter dhe Paris SG takohen për herë të parë ndaj njër-tjetrës në një ndeshje zyrtare, çfarë e bën akoma edhe më të paparashikueshme këtë sfidë.
Pas kualifikimit të francezëve ndaj Arsenalit, një ndër të parët që ka folur për kundërshtarin tek klubi italian, është legjenda e Interit, Javier Zanetti. Aktualisht si një nga figurat drejtuesve më me influencë në radhët e zikaltërve, Zanetti fillimisht shprehu kënaqësinë dhe krenarinë që skuadra e trajnerit Inzaghi i ka siguruar vetes prezencën në finale. Ndërsa sa i përket Paris SG, argjentinasi deklaroi se e sheh përballjen ndaj kampionëve të sapokonfirmuar të Francës si një sfidë 50 me 50. Sipas tij, ndeshje të tilla nuk kanë favorit, pasi skuadrat nuk kanë më asgjë për të humbur. Zanetti komplimentoi Parisin për mbërritjen në finale, duke shtuar se francezët e kanë merituar absolutisht vendin e tyre, por i qëndroi gjithësesi mendimin se asnjë ekip nuk do ta nisë si favorit mbrëmjen e 31 majit.
Më pas, Zanetti u ndal edhe tek individët e skuadrës së Interit. Fillimisht, argjentinasi shprehu fjalët më të mira për trajnerin Simone Inzaghi, duke e quajtur një lider absolut të ekipit dhe si njeriu që e bëri të mundur këtë arritje. Lëvdata pati edhe për Lautaro Martinez, që Zanetti nuk nguroi të thoshte se e sheh si një mundësi për të fituar ‘Topin e Artë’, pasi ka arritur ta provojë në fushën e lojës se në çfarë niveli mund të luajë. Për të, Lautaro do të vijojë të jetë për një kohë të gjatë një emblemë e Interit, pasi garantoi se sulmuesi është i lumtur në Milano dhe synon të qëndrojë gjatë me zikaltërit.