UCL, Inter, Marotta lavdëron Inzaghi-n; thotë se ka shijuar ndeshjen më të bukur në karrierë

Sport

Triumfi ndaj Barcelonës do të mbahet mend gjatë nga tifozët e Interit dhe jo vetëm. Skuadra zikaltër ka siguruar për të dytën herë në 3 vitet e fundit prezencën në finalen më të rëndësishme të futbollit europian. Kualifikimi dramatik ëshë shijuar në maksimum edhe nga drejtuesit e klubit zikaltër, me në krye presidentin Beppe Marotta. Numri 1 i Interit nuk i fshehu emocionet pas sfidës, duke e cilësuar këtë përballje ndaj Barcelonës si ndeshjen më të bukur që ka shijuar ndonjëherë:

“Ishte një ndeshje epike mes dy skuadrave të mëdha. Jemi të lumtur që kemi shkruar këtë kapitull të rëndësishëm, që shkon si meritë e trajnerit, lojtarëve dhe publikut fantastik që ishte i pranishëm sot. Jemi mes më të mëdhenjve dhe kjo ka ardhur me meritë e vendosmëri. A ishte kjo ndeshja më e bukur e karrierës sime? Nëse e sheh nga emocionet dhe adrenalina, padyshim që po.”

Që nga koha kur Interi vendosi Simone Inzaghi-n si trajner të skuadrës, kjo është finalja e dy të që klubi milanez ia del të sigurojë në ‘Champions League’, prandaj edhe elozhet për trajnerin nuk kanë munguar nga ana e Marotta-s:

“Simone Inzaghi është qendra e këtij projekti, gjithnjë i mbështetur nga klubi. Është një fitore e të gjithëve ne, por sigurisht që prekjen më të rëndësishme e ka dhënë trajneri. Këto janë shpërblimet e një pune të shkëlqyer të bërë prej tij dhe të gjithë atyre që qëndrojnë pas këtij projekti.”

Interi do të luajë në finalen e 31 majit në stadiumin e Mynihut, ku do të përpiqet të risjellë trofeun që klubit i mungon prej 15 vitesh, atë të ‘UEFA Champions League’.