Pas 13 vitesh, Interi do të ketë mundësinë të jenë sërish në majën e Europës, teksa do të rikthehet të luajë një finale të ‘UEFA Champions League’. Zikaltërit janë finalistët e parë të sezonit 2022/23, pasi mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 3-0, rivalët e përjetshëm të Milanit. Një gol i Lautaro Martinez ka mjaftuar që Simone Inzaghi dhe të tijët të fitojnë edhe përballjen e dytë, që nisi më mirë për skuadrën e Milanit. Kuqezinjtë, në vetëdije të plotë se duhet të likujdonin një disantazh prej dy golash, u hodhën menjëherë në sulm. Brahim Diaz pati shansin e mirë për të zhbllokuar takimin në minutën e 11, por u ndal nga portieri i zikaltërve, Andre Onana. Interi në anën tjetër provoi të ndëshkonte me anë të kundërsulmeve, por pa gjetur dot kuadratin e mbrojtur nga Mike Maignan. Në minutën e 38, Rafael Leao pati një nga momentet e pakta kur dribloi me topin përballë kundërshtarëve. Portugezi la pas vetes fillimisht Darmian, e më pas Acerbi-n, mirëpo goditja e tij nuk ishte e saktë. Në pjesën e dytë, presioni mbi kuqezinjtë sa vinte e rritej dhe Interi përfitoi. I hedhur në lojë si zëvendësues, Romelu Lukaku shërbeu saktë për Lautaro Martinez, që gjeti golin dhe vulosi fatin e ‘Euroderbit’. Martinez numëron 10 gola të shënuar në ‘Champions League’ me fanellën e Interit, duke u bërë argjentinasi i tretë në historinë e klubit zikaltër që realizon diçka të tillë, pas Julio Cruz dhe Hernan Crespo. Gjithashtu, Simone Inzaghi u bë trajneri i dytë italian, pas Giovanni Invernizzi që dërgon Interin në finalen e ‘Champions League’-ës, teksa tani ka shansin të vendosë duart tek trofeu më i lakmuar nga të gjithë, në një sezon ku nuk e nisën aspak si favoritë për të prekur finalen e madhe të Stambollit, që do të jetë e gjashta për ta në kompeticionet europiane. Kjo ishte hera e parë që Interi dhe Milani përplaseshin 5 herë brenda të njëjtit sezon, teksa zikaltërit fitojnë 4 përballje brenda një edicioni ndaj rivalëve të qytetit për herë të dytë në histori, duke përsëritur në 1973/1974-ën.