Pavarësisht eliminimit nga Champions League-a, trajneri 72-vjeçar Jupp Heynckes ka deklaruar se në fushë, skuadra më e mirë ishte Bayerni i Munich-ut. Sërish, ashtu sikurse në ndeshjen e parë, edhe në sfidën e kthimit veterani gjerman ka këmbëngulur se Reali i Madridit fitoi prej rasteve dhe jo prej lojës së treguar. Për ndeshjen e barazuar 2-2 Heynckes fajësoi momentin e keq të portierit Ulreich dhe përqendrimin e mbrojtjes më së shumti te Ronaldo dhe jo te Benzema. “Ulreich kishte një moment shpërqëndrimi total. Dhuruam një performancë të klasit botëror. Luajtëm futboll të bukur, është një turp që u eliminuam. S’e kam parë Bayernin të luajë kaq mirë prej shumë kohësh, ndërsa ajo që bënte Reali ishte vetëm kundër-sulmi” – analizoi disi me zhgënjimi trajneri gjerman.
Heynckes lavdëroi edhe portierin Keylor Navas, i cili sipas tij ishte spektakolar me pritjet e tij, sidomos në momentet e fundit të ndeshjes. Ndërsa komentonte eliminimin, trajneri 72-vjecar nuk mund të mos pyetej edhe për të ardhmen e tij. Në këtë pikë, Heynckess ka qenë i drejtpërdrejtë. “Kësaj here do jetë permanente, nuk do të ulem më në stol dhe nuk e përjetova aspak këtë rikthim si një ngarkesë, por si një përvojë të shkëlqyeshme” – tha më tej trajneri i Bayernit, i cili në fund të sezonit do të zëvendësohet nga Niko Kovac. Largohet kështu një tjetër emër i madh i futbollit dhe fatkeqësisht për tifozët bavarezë nuk arriti ta mbyllë sikurse në 2013-ën, me një tripletë titujsh por vetëm me dominancën në Gjermani.