UCL, Haaland turpëron Leipzig; norvegjezi vendos të tjera rekorde

Sport

Manchester City ka siguruar një vend në fazën tjetër të ‘UEFA Champions League’, pasi dhuroi një spektakël golash në shtëpi ndaj Leipzig. Pikërisht lojtari që ishte kritikuar disi për formën e tij së fundmi mori gjërat nën kontroll për ‘cityzens’, që me rezultatin 7-0, kanë barazuar rekordin e tyre me fitoren me të thellë në këtë kompeticion. Po ashtu, kjo është humbja e dytë më e thellë për ekipet gjermane, pasi edhe në rastin e parë, në vitin 2019, Manchester City mposhti më të njëjtin rezultat skuadrën e Schalke-s.

Erling Haaland ishte njeriu që mori vëmendjen në stadiumin ‘City of Manchester’, duke shënuar plot 5 herë në kuadratin e mbrojtur nga Janis Blasëich. Norvegjezi shënoi një tripletë brenda pjesë së parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë të lojës, veç tij, rrugën e rrjetës e gjetën edhe Ilkay.

Gundogan dhe Kevin De Bruyne. Në moshën 22 vjeç e 236 ditë, Haaland është lojtari më i ri në moshë që arrin kuotën e 30 golave në karrierë në ‘Champions League’. Shtatlartit i janë dashur vetëm 25 ndeshje për ta realizuar një gjë të tillë, duke u bërë unik në këtë aspekt. Gjithashtu, ai tani numëron 5 ndeshje në të gjitha kompeticionet të këtij sezoni ku ka realizuar të paktën 3 gola, më shumë se çdo lojtar tjetër në ligat kryesore të kontinentit. 22-vjeçari është i pari lojtar nga ‘Premier League’ që numëron të paktën 5 tripleta brenda të njëjtit sezon që nga 2016/2017, kur diçka të tillë e realizonte Harry Kane. Ndërkohë që emri i tij do vendoset tashmë krah atyre të Lionel Messi-t dhe Luiz Adriano-s, si të vetmit lojtarë në historinë e ‘Champions League’-ës, që kanë shënuar 5 gola brenda së njëjtës ndeshje, me Haaland dhe Messi-n që diçka të tillë, e kanë realizuar në fazën me eleminim direkt.