16 gola në dy takimet e javës së pestë në grupin H, tregojnë më së miri se çfarë spektakli ofron një kompeticion si ‘Champions League’-a. Benfica i dha ‘goditjen e fundit’ Juventusit të Massimiliano Allegri-t, duke e mposhtur 4-3 në Lisbonë. Festa e golave nisi me goditjen me kokë të Antonio Silva në minutën e 17 të sfidës. Moise Kean barazoi 4 minuta më vonë, ndërkohë që vendasit siguruan një avantazh prej 3 golash falë Joao Mario dhe dopietës së Rafa Silva-s. Për herë të parë në ‘Champions League’, Juventusi pëson 3 gola brenda pjesë së parë të një takimi, çfarë tregon edhe njëherë se problemet e bardhezinjve janë të mëdha. Aktivizimi i të rinjve në radhët e torinezëve ndezën shpresën tek Juventusi, me Iling Jr. protagonist tek goli i Milik dhe McKennie. Rafa Silva, i cili kishte shënuar dy gola mjaft të bukur gjatë kësaj sfide, pati shansin të kompletonte tripletën në minutën e 86, por ylli i Benfica-s do të ndalej nga shtylla. Juventusi pati edhe një mundësi tjetër 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt, kur i riu Mathias Soule nuk shënjestroi dot portën.
Ndërsa Paris SG e ktheu në festë përballjen ndaj Maccabi Haifa në shtëpi, duke triumfuar 7-2. Mbappe shënoi një dopietë. Neymar po ashtu realizoi dhe ishte protagonist tek autogoli i Goldberg, ndërsa në fund pati festë për Carlos Soler. Gjithësesi, mbrëmja i përkiste Lionel Messi-t. Argjentinasi shënoi 2 gola e shërbeu 2 asiste në këtë takim, duke u bërë në moshën 35 vjeç e 123 ditë, lojtari më i vjetër që kompleton diçka të tillë brenda një ndeshje të ‘UEFA Champions League’. Po ashtu, që nga debutimi i tij në këtë kompeticion, ai është lojtari me më shumë gola nga jashtë zone, 23, vetëm 1 më shumë se sa rivali i tij i madh, Cristiano Ronaldo. Me golat e asistet ndaj Maccabi-t, Messi është i pari lojtar në ligat kryesore të Europës në këtë sezon, që kalon kuotën e 10 golave dhe 10 asistimeve, duke treguar edhe njëherë se kur është në formë fizike, ‘pleshti’ mbetet magjik.