UCL, Grupi G, Man.City e Dortmund ndajnë nga një pikë dhe mbyllin çështjen e kualifikimit

Sport

Manchester City dhe Borussia Dortmund e kanë mbyllur çështjen e kualifikimit më tej në grupin G. Në javën e pestë të fazës në grupe, të dyja skuadrat ndanë nga një pikë në barazimin 0-0 në Gjermani, me Dortmund që pati disa shanse të mira të kalonte në avantazh. Veç mundësisë së Adeyemi në minutën e 16, verdhezinjtë patën një rast të artë edhe me talentin Moukoko, që në mënyrë të pabesueshme nuk e shënjestroi dot portën e mbrojtur nga portieri Ortega. në pjesën e dytë, Manchester City u hodh në sulm dhe pati mundësinë për të shënuar në minutën e 58, kur në favor të tyre u akordua një 11-metërsh. Por të 25-ën herë që nga sezoni 2016/2017, ‘cityzens’ çojnë dëm një penallti, me Mahrez që u ndal nga portieri Gregor Kobel. Por të besuarit e Guardiolas nuk do të ndaleshin aty. Në minutën e 68, Julian Alvarez pati një mundësi të mirë pas kaosit në mbrojtjen e Dortmundit, por edhe sulmuesi argjentinas nuk e vuri në rrezik portierin kundërshtar.

Më herët në grupin G, Sevilla kishte mposhtur 3-0 Copenhagen, në një takim ku rastet më të mira i pati fillimisht ekipi danez. Haraldsson do të ndalej në minutën e 23-të nga portieri Dmitrovic, ndërohë që 12 minuta më vonë, Kamil Grabara tentoi të shtangte spanjollët, por edhe në këtë rast portieri u bë protagonist. Në fillimin e pjesës së dytë, Copenhagën nuk ia doli të festonte avantazhin, kur goditja e Clem do të ndalej në shtyllë, ndërkohë që Sevilla kishte filluar të merrte gjërat nën kontroll. Isco dha sinjalin e parë për vendasit në minutën e 55-të, ndërsa goli i parë i takimit do të vinte nga Youssef En Nesyri, që shfrytëzoi si duhet pasimin e Papu Gomez. Goli i qetësisë për andaluzianët do të vinte vetëm 2 minuta nga fundi i rregullt, kur Isco shënoi një nga golat më spektakolarë të mbrëmjes. Në shtesë pati festë edhe për Gonzalo Montiel, që çoi shifrat në 3-0, me Copenhagen që e mbylli takimin me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Khocholava. Manceshter City kalon në fazën tjetër si kokë e grupit G, me Dortmund në vendin e dytë, ndërsa Sevilla do të duhet të kënaqet me vendin e tretë, që e çon në ‘Europa League’.