UCL, Grupi F, Real Madrid mposht edhe Shakhtarin, Leipzig gjen 3 pikët e para

Sport

Real Madrid është një nga pesë skuadrat që numërojnë vetëm fitore pas tre javëve të para të fazës në grupe. Kampionët në fuqi të Europës mposhtën 2-1 Shakhtar Donetsk, në një ndeshje ku trajneri Carlo Ancelotti kishte lënë pushim disa nga titullarët e tij. Spanjollët do të gjenin rrugën e rrjetës shumë shpejt, kur braziliani Rodrygo mposhti portierin Trubin në minutën e 13. Më vonë do të vinte radha e brazilianit tjetër, Vinicius Jr. që finalizoi saktë një aksion mjaft të bukur të ‘los blancos’. Por gjërat nuk do të ishin aq të thjeshta për Realin, pasi në minutën e 39, Zubkov shënoi një gol mjaft të bukur, duke rihapur gjithçka. Në pjesën e dytë, madrilenët këmbëngulën për të gjetur golin e qetësisë, por tentativat e Valverdes dhe të Rodrygo-s nuk rezultuan të sakta. Në fund të takimit, do të ishte shtylla që do të ndalte goditjen e Asensios, i cili u shërbye në mënyrë të përkryer nga Benzema. Për Ancelotti-n kanë rëndësi 3 pikët, në një ndeshje ku ‘los blancos’ nuk ishin me të gjitha forcat e tyre.

Ka gjetur pikët e para në këtë edicion të ‘Champions League’ edhe Leipzig, që pas dy humbjeve radhazi, ia doli të mposhtte 3-1 Celtic. Gjermanët realizuan në minutën e 18 me Christopher Nkunku, por teknologjia ndërhyri duke ndalur festën për një pozicion të parregullt. Por sulmuesi kryesor i Leipzig nuk do të ndalej nga asgjë në minutën e 27, kur i dha avantazhin pasi fitoi duelin një për një me portierin. Celtic do të reagonte në fillim të pjesës së dytë, me Jota që thjesht duhet të shtynte topin drejt rrjetës. Leipzig do të rikthehej në avantazh në minutën e 61, por goditja e Szoboszlai do të konsiderohej e pavlefshme, sërish për pozicion të parregullt. Por tek Celtic do t’ja dhuronin vetë avantazhin gjermanëve. Një gabim i portierit Joe Hart bëri që Andre Silva të shënonte. Portugezi do të festonte dopietën me në mintën e 77 dhe Leipzig merr 3 pikët e para, duke hapur çështjen e kualifikimit. Real Madrid duket i destinuar ta mbyllë se ‘kokë’ e grupit, ndërsa Shakhtar, Leipzig dhe Celtic do të provojnë deri në fund për një biletë në 1/8-at.