UCL, Grupi F, Real Madrid ‘bën detyrën’ ndaj Leipzig; Shakhtar e Celtic ndahen me nga një pikë

Sport

Pikë të plota dhe asnjë gol i pësuar. Real Madrid po shijon një nisje mjaft të mirë të sezonit në ‘Champions League’, duke fituar edhe ndeshjen e dytë të grupit F, atë përballë Leipzig, me rezultatin e pastër 2-0. Thibaut Courtois do të ishte fillimisht njeriu i ndeshjes për madrilentë, me disa ndërhyrje të rëndësishme kundrejt Christopher Nkunku dhe Timo Werner. Goli i parë i takimit do të vinte vetëm 10 minuta nga fundi i takimit, me Federico Valverde që shfrytëzoi si duhet pasimin e Vinicius Junior. Leipzig provoi të barazonte rezultatin, por gjithçka do të vulosej në minutën e parë të shtesës, me Asension finalizues, pas një skeme në goditjen e dënimit, të ekzekutuar nga Toni Kroos.

Më herët, në takimin tjetër të grupit, Shakhtar vinte si kryesues ndaj Celtic-ut. Ukrainasit do të prodhonin volum loje, por golin do e gjenin të parët miqtë nga Skocia. Hatate depërtoi në zonë dhe i ndihmuar nga një devijim i Bondarenkos, do i jepte avantazhin keltëve. Përgjigja e Shakhtar-it do të vinte në minutën e 29, kur talenti 21-vjeçar i ukrainasve, Mykhailo Mudryk, ia doli të barazonte gjithçka. Skuadrat më pas u përpoqën të mbroheshin dhe rastin më të pastër e pati sërish Celtic, me sulmuesin Giakoumakis që nuk e shfrytëzoi pasimin e Greg Taylor, duke e çuar goditjen larg portës kundërshtare. Reali mbetet kështu i vetëm në krye të grupit me 6 pikë pas 2 javësh, ndërsa Shakhtar ndjek me 4 pikë. Celtic mban për momentin vendin e tretë me 1 pikë, ndërkohë që Leipzig është e vetmja skuadër e grupit që ende nuk ka siguruar as edhe një pikë.