Një nga biletat e fundit për në fazën me eleminim direkt diskutohej mes Milanit dhe Salzburgut në ‘San Siro’, në një ndeshje që kishte vëmendjen e të gjithëve. Kuqezinjtë ia dolën të nderonin fanellën dhe të zhvillonin ndeshjen perfekte, duke triumfuar 4-0 përpara publikut të tyre. Olivier Giroud ishte ai që nisi festën, me një gol të realizuar me kokë në minutën e 14. Salzburgu do të hidhej në sulm, duke patur disa shanse të mira, herë me Junior Adamu e herë me Kjaergaard, por pa e ndëshkuar Tatarusanu-n. Me nisjen e pjesës së dytë, skuadra e Piolit godet sërish. Një nga lëvizjet surprizë në formacionin e Milanit, Rade Krunic, ia doli të kthente në gol pasimin e Olivier Giroud. Ky i fundit do të kompletonte dopietën e tij në minutën e 57, duke u bërë lojtari më i vjetër, në moshën 36 vjeç e 33 ditë, që përfshihet nga 3 gola të një ndeshjeje të ‘Champions League’-ës, të paktën që nga sezoni 2003/04.
Goli i fundit i takimit do të realizohej në shtesë, nga Junior Messias, i cili zbriti në fushë nga stoli. Një kualifikim plot pasion për Milanin, që rikthehet në fazën me eleminim direkt për herë të parë që nga sezoni 2013/14. Ndërkohë që pas një dekade, Italia do të përfaqësohet me 3 skuadra në fazën më emocionuese të kompeticionit.
Nuk pati shumë histori në ndeshjen tjetër të grupit, me Chelsea-n që e kishte siguruar më herët vendin e parë të grupit E. Londinezët u surprizuan nga Dinamo e Zagrebit në minutën e 7, kur Bruno Petkovic ndëshkoi portierin Mendy. Megjithatë, avantazhi i kroatëve nuk zgjati më shumë se 10 minuta, pasi Sterling barazoi gjithçka për Chelsea-n. Të besuarit e Graham Potter përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë, me Denis Zakaria-n që finalizoi saktë. Dinamo u përpoq të reagonte, por pa ia dalë mbanë të cënonjnë sërish portën e Mendy, duke e mbyllur në vendin e fundit të grupit me 4 pikë, ndërsa Salzburgu do të vijojë aventurën në ‘Europa League’.
Në shortin e 7 nëntorit do të mësohen edhe kundërshtarët e skuadrave të kualifikuara. Chelsea mund të përballet me një mes Club Brugge, Inter, Frankfurt, Leipzig, Dortmund apo Paris SG. Ndërsa Milani mund të ketë një short të ndërlikuar, pasi mund të vihet përballë Bayern, Tottenham, Porto, Real Madrid, Man.City dhe Benfica.