UCL, Grupi E, Chelsea ‘dërrmon’ Milanin, Salzburg merr kreun

Sport

Chelsea i Graham Potter ka filluar të marrë formë. ‘Blutë’ e Londrës e dëshmuan këtë edhe në sfidën më të rëndësishme të grupit E në ‘Champions League’, përballë Milanit, ndaj të cilëve triumfuan 3-0. Fofana shënoi mes kaosit në zonën e kuqezinjve në minutën e 24-t. Milani do të reagonte vetëm në fundin e pjesës së parë, kur Leao krijoi një rast mjaft të mirë nga krahu i majtë, por si De Ketelaere, edhe Krunic, gabuan një goditjet e tyre. Dyfishimi i rezultatit do të vinte në pjesën e dytë, me Aubameyang që përfitoi nga gabimi i Tomorit. Në minutën e 61, do të vinte radha e Reece James, i cili me të drejtë mund të konsiderohet edhe si lojtari i ndeshjes. James jo vetëm që bëri një mbulim shumë të mirë të yllit kryesor të Milanit, Rafael Leao, në fazën mbrojtëse, por në moshën 22 vjeç e 301 ditë, u bë lojtari më i ri i Chelsea që shënon dhe asiston brenda së njëjtës ndeshje në ‘Champions League’. Londinezët siguruan në këtë mënyrë fitoren e parë në këtë sezon të kompeticionit, duke u ngjitur në vendin e dytë, me 4 pikë, po aq sa edhe Milani.

Ndërsa kreun e grupit E tashmë e ka marrë Salzburgu, që ia doli të triumfonte në shtëpi ndaj Dinamo Zagrebit. Sfida do të ishte mjaft e luftuar në aspektin fizik dhe të dyja skuadrat u përpoqën të luanin futboll të hapur, duke krijuar edhe raste të shumta. Gjithësesi, takimi do të vendosej nga një 11-metërsh, që do të shndërrohej në gol nga i zakonshmi Noah Okafor, i cili numëron 3 gola të shënuar në po kaq ndeshje në këtë sezon në ‘Champions’. Në minutat e fundit, Salzburgu pati shansin ta mbyllte diskutimin, por talenti Benjamin Sesko u ndal nga portieri i kroatëve, Livakovic. Dinamo e Zagrebit do të gjente në fakt rrjetën në minutën e 4 shtesë, por nuk do të kishte festë për kroatët, pasi anësori akordoi një pozicion të parregullt për Josip Drmic. Dinamo do të kërkojë të rikthehet në luftën për kualifkimin më tej në ndeshjet e ardhshme, kur do të sfidojë sërish Salzburgun, kësaj radhe në Zagreb.