Grupi D është padyshim një nga më të paparashikueshmit në këtë sezon të ‘Champions League’-ës. Renditja ka ndryshuar javë pas jave dhe rezultatet e ndeshjeve të katërta, kanë nxjerrë tashmë në krye Tottenham-in e Antonio Conte-s. Londinezët fituan me përmbysje në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurt. Gjermanët kaluan në avantazh me Kamada-n, i cili e pati shumë të thjeshtë të shtynte topin drejt portës së boshatisur. Më pas do të niste furia e vendasve, me dyshen Harry Kane dhe Heun-Min Son që shënuar 3 herë brenda pjesës së parë. Koreano-jugori kompletoi një dopietë, ndërkohë që gjërat për të besuarit e Conte-s do të bëheshin më të thjeshta pas daljes me karton të kuq të Tuta-s. Gjithësesi, tek Frankfurti do të provonin të riktheheshin në lojë në minutën e 87, falë golit të Alidou, i cili shfrytëzoi si duhet krosimin e Mario Gotze. Kjo mbeti vetëm për statistikat personale të lojtarëve, pasi fati i ndeshjes nuk ndryshoi.
Në takimin tjetër, Marseille ia doli të bënte sërish surprizën, duke mposhtur 2-0 në transfertë Sportingun. Guendouezi ekzekutoi si duhet 11-metërshin e fituar në minutën e 20, duke i dhënë avantazhin francezëve, të cilët do të dyfishonin 10 minuta më vonë. Harit bëri gjithçka si duhet nga e djathta e sulmit të Marseille, duke ië bërë detyrën shumë të lehtë Alexis Sanchez. Sportingu ndërkohë do të luante 30 minutat e fundit të sfidës me dy lojtarë më pak, por tek Marseille nuk ia dolën të siguronin një fitore më të thellë, me portierin Israel që ishte i rëndësishëm me disa ndërhyrje. Marseille bëhet skuadra e parë franceze që fiton në një transfertë ndaj një ekipi portugez në ‘Champions League’, ndërkohë që Sportingu shënoi një rekord negativ, pasi u bë i vetmi klub që ndëshkohet me 3 kartona të kuq në dy ndeshje ndaj të njëjtin kundërshtar në elitën e futbollit europian. Tottenham kështu udhëheq grupin me 7 pikë, me Marseille e Sporting që kanë nga 1 pikë më pak. Në lojë mbetet edhe Frankfurti, që mbetet në vendin e fundit me 4 pikë.