UCL, Grupi C, Bayern kalon në fazën tjetër; Inter hedh një hap drejt 1/8-ave pas barazimit spektakolar në ‘Camp Nou’

Sport

Bayern Munich është skuadra e radhës që ka siguruar kualifikimin drejt fazës së 1/8-ave që në javën e katërt të grupeve në ‘Champions League’. Bavarezët bënë detyrën në transfertën ndaj Viktoria Plzen, duke triumfuar 4-2. Takimi u zgjidh nga ana e kampionëve të Gjermanisë që në pjesën e parë. Golat e Sadio Mane, Thomas Muller, një dopietë e Leon Goretzka-s i bënë gjërat shumë të thjeshta për ekipin e trajnerit Nagelsmann. Bavarezët kualifikohen për në fazën tjetër për të 15-in vit radhazi.

E vetmja skuadër që ka bërë më mirë se ta në këtë aspekt, janë rekordmenët e Real Madrid, që kanë kalojnë drejt 1/8-ave për 20 vite radhazi. Ndërkohë që ata të Plzen shënuan në pjesën e dytë, si të për shpërblyer edhe tifozët e tyre. Vikanova realizoi në minutën e 62-të, ndërkohë që në të 75-ën, do të ishte Kliment që shënoi një gol mjaft të bukur, pas krosimit të Holik. Por emocionet më të mëdha do të ishin në takimin tjetër të këtij grupi, ku luhej fati i Barcelonës dhe Interit. Në një ‘Camp Nou’ të mbushur plot, u panë të shënoheshin 6 gola, por pa nxjerrë një fitues. Katalanasit kaluan në avantazh me Ousmane Dembele në minutën e 40, ndërsa milanezët do të përgjigjeshin në fillimin e pjesës së dytë me Nicolo Barella.

Në të 63-ën, Lautaro Martinez do t’i jepte për herë të parë avantazhin Interit, pasi shfrytëzoi në mënyrë të përkryer pasimin e Calhanoglu dhe mposhti mbrojtësin Eric Garcia. Megjithatë emocionet më të mëdha ishin ruajtur për 15 minutat e fundit të takimit. Pas një sërë tentativash të dështuara, Lewandowski do të gjentë rrugën e rrjetës. Barcelona u hodh në sulm, duke lënë shumë hapësira në prapavijë. Tek Interi e shfrytëzuan këtë më së miri dhe 1 minutë para përfundimit të kohës së rregullt, Gosens riktheu italianët në avantazh. Tek Barcelona nuk ishin dorëzuar dhe barazuan 3 minuta më vonë, sërish me Lewandowski-n. Katalanasit kërkonin një tjetër përmbysje të madhe, por shansin më të mirë për të vulosur ndeshjen e pati Interi, me Kristjan Asllanin që nuk ia doli të mposhtte portierin Ter Stegen. Interi gjithësesi merr një pikë me shumë vlera dhe tani do t’i mjaftojë një triumf ndaj Plzen për të kaluar më tej, ndërkohë që Barcelonën, e mban në garë vetëm matematika.