UCL/ Fiton Atletico, Lazio shënon sërish në limite

Sport

Kur janë kompletuar dy javët e para të fazës së grupeve në UEFA Champions League, shumë interesante është bërë situata në Grupin E. Në “Estadio Metropolitano”, Atletico Madrid-Feyenoord ka dhuruar spektakël të vërtetë, me përmbysje dhe ripërmbysje.

Në fund, ishin Los Rojiblancos ata që fituan me rezultatin 3-2, falë një performance të shkëlqyer nga Alvaro Morata dhe Antoine Griezmann.

Ishin miqtë ata që kaluan të parët në epërsi, si pasojë e një autogoli të Hermosos në minutën e 7-të, por ekuilibrat do të vendoseshin shumë shpejt nga Morata në të 12-tën. Ashtu sikurse e theksuan edhe në konferencën për mediat, se hollandezët kishin ardhur në Madrid për të bërë një nperformancë dinjitoze, ashtu edhe ndodhi. Në të 34-tën, Hancko kaloi tulipanët sërish në epërsi, por në të 4-tën minutë të shtesës, Griezmann riktheu edhe një herë tjetër barazpeshën e sfidës.

Kur nga pjesa e dytë kishin kaluar vetëm 120 sekonda, Morata realizoi të 3-tin për skuadrën e tij dhe të dytin personal, me rezultatin që më pas, mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.

Në këtë mënyrë, pas dy javëve të kompletuara, Atletico Madrid ka marrë kreun e Grupit E me 4 pikë, ndërsa Feyenoord mbetet në vendin e 3-të me 3 pikë. Vendi i dytë mbahet nga Lazio, po me 4 pikë, me skuadrën italiane, që pasi në “Olimpico” siguroi një pikë vetëm në limite të sfidës me Atleticon, të njëjtën gjë ka bërë edhe në transfertën skoceze të Celtic.

Nënkampionët e Italisë, fituan 2-1 në “Celtic Park”. Pasi sfida ishte mbërthyer në barazim me shifrat 1-1, nga golat e Furuhashit dhe Vecinos që në pjesën e parë, në të 95-tën, Pedro shënoi golin e fitores për të kaltërit.

Në kushtet e deritanishme, situata në Grupin E është bërë mjaft interesante, ku Atletico, Lazio dhe Feyenoord janë në garë për kualifikim, kurse Celtic renditet në vendin e fundit me zero pikë.