Bayern Munich vijon me rekorde të jashtëzakonshme në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Në Grupin A, gjermanët, arritën fitoren e 3-të në po kaq ndeshje të luajtura, duke triumfuar 3-1 ndaj Galatasaray në Stamboll.
Tre fitore në 3 javët e para të Championsit, Bayerni i ka arritur për të 5-tin sezon në mënyrë të njëpasnjëshme.
Kjo ishte fitorja e 8-të radhazi e bavarezëve në transfertë sa i përket fazës së grupeve në Champions League, një rekord ky, që asnjë skuadër tjetër e kompeticionit nuk ia kishte dalë ta bënte dot. Gjithashtu, kjo ishte sfida e 37-të radhazi që Bayerni nuk njeh humbje në grupe. Më tej, suksesi ndaj Galatasaray ishte fitorja e 16-të radhazi në fazën e grupeve, duke përfshirë këtu ndeshjet në shtëpi dhe në trasnfertë.
Sa i përket situatës aktuale në Grupin A, të besuarit e Thomas Tuchel kryesojnë me pikë të plota, me 9 dhe janë shumë pranë kualifikimit në raundet me eliminim të kompeticionit.
Sakaq, pavarësisht humbjes, Galatasaray mbetet në vend të dytë me 4 pikë dhe mban gjallë shpresat për një kualifikim, ndonëse nuk do të jetë e lehtë, sepse Manchester United është rikthyer në garë. Falë një fitoreje të vuajtur ndaj Copenhagen, djajtë e kuq arritën të merrnin trepikëshin e parë të këtij sezoni në Champions League. Triumfi 1-0 ndaj danezëve në “Old Trafford”, me golin e shënuar nga Harry Maguire, i ka mundësuar ekipit të Erik Ten Hag që tashmë të ketë të gjithë të drejtën për të ëndërruar dhe për të besuar tek kualifikimi në fazën me eliminim të Champions League. Copenhagen renditet në vendin e fundit të Grupit A me vetëm një pikë.