UCL, Dëmtohet Mbappe, PSG alarmohet në prag të sfidës me Leipzig

Sport

PSG do të luajë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të grupit H në javën e tretë të ‘Champions League’-ës, ku përballet në Gjermani me Leipzig, që për momentin janë rivali i tyre direkt për kualifikimin më tej. Përballja, që do të jetë një përsëritje e gjysmëfinales të sezonit të kaluar duket se do të jetë shumë e vështirë për trajnerin e parizienëve, Thomas Tuchel, i cili sheh shumë mungesa në radhët e tij. Në sfidën me Leipzig do të mungojë edhe një prej yjeve kryesorë të kësaj skuadre, Kylian Mbappe, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë, por që me shumë gjasa do ta pengojë sulmuesin francez të japë kontributin e tij në fushë. Sipas asaj që ka shpjeguar vetë trajneri Tuchel, Mbappe ka vuajtur lodhjen fizike të kalendarit të ngjeshur dhe mjekët e klubit nuk duan të rrezikojnë duke e lenë 21-vjeçarin të zbresë në fushë, për shkak se mund të pësojë një dëmtim më të rëndë. Kështu, Mbappe i bashkohet listës së shumë lojtarëve të tjerë të dëmtuar tek kampionët e Francës, ku renditen emra të tjerë mjaft të rëndësishëm për Tuchel, si Verratti, Draxler, Neymar apo edhe Mauro Icardi. Tekniku gjerman tani do t’i duhet të tregohet kreativë sa i përket repartin të sulmit, ku në dispozicion ka vetëm Moise Kean, Pablo Sarabia dhe Angel Di Marian, me këta të fundit që mund të luajnë vetëm nga krahët. Për Tuchel, kjo sfidë mund të vendosë shumë dhe trajneri duhet të tregojë më të mirën e tij, për të marrë një rezultat pozitiv mes mungesa të shumta dhe ndaj një kundërshtari që nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht asaj humbjeje të rëndë 5-0 që Leipzig mori në ‘Old Trafford’ ndaj Manchester United në javën e dytë.