UCL/ Chelsea dhe PSG me probleme përpara ndeshjeve të kthimit

Sport

Probleme për Chelsean dhe PSG përpara ndeshjeve të kthimit të raundit të 1/8-tave në Champions League.

Si Blutë e Londrës, ashtu edhe parizienët, u mposhtën 1-0 në takimet e tyre të para, ndaj Borussia Dortmund dhe Bayern Munich, mirëpo në takimet e kthimit, duhet t’i bëjnë llogaritë ndryshe, sepse do të kenë nga një mungesë të rëndësishme në zemër të mbrojtjes.

Për Chelsean, është dëmtuar Thiago Silva. Braziliani ka lënduar ligamentin e gjurit të majtë në derbin ndaj Tottenham dhe si pasojë pritet të mungojë rreth 6 javë. Të martën e ardhshme, në 7 Mars, Chelsea pret Dortmundin në shtëpi dhe mungesa e Thiago Silvës shtohet në listën e problemeve të shumta që Graham Potter nuk po arrin t’i zgjidhë dot në krye të skuadrës.

Deri në këtë fazë të sezonit, braziliani ka qenë një prej lojtarëve bazë të formacionit blu dhe mungesa e tij ndaj skuadrës gjermane, shihet një telash i madh për 2 herë kampionët e Europës.

I njëjti problem është edhe për PSG, që të mërkurën, në 8 Mars, udhëton në Mynih, me synimin për të përmbysur humbjen e pësuar një shtëpi në 14 Shkurt. Christophe Galtier duhet ta përgatisë skemën pa mbrojtësin e qendrës, Presnel Kimpembe, i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Marseille në kampionat. Francezi ka lënduar tendinën e akilit në këmbën e djathtë dhe sezoni për të mund të konsiderohet i përfunduar. Në ditët e ardhshme, lojtari në fjalë do t’i nënshtrohet operacionit, ndërsa pritet të jetë gati në muajin Tetor të sezonit të ardhshëm.