Ndeshja e së mërkurës ishte përfundimisht e fundit për Gianluigi Buffonin në Champions League. Pas ndeshjes kundër Realit në Madrid, portieri 40-vjeçar ka folur me ndjesi të forta zhgënjimi duke nënkuptuar se në fund të sezonit do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli. “Zhgënjimi më imadh në fund do të jetë ndarja me këta djem, por jeta vazhdon përpara dhe shpresoj të kem përçuar diçka me vlerë për të ardhmen” – ishin fjalët e Buffon, kontrata e të cilit përfundon më 30 qershor. Juventusi ishte pranë një përmbysjeje historike teksa kryesonte 3-0 në Bernabeu, por u shemb në fund kur arbitri Michael Oliver akordoi një penallti të cilën e ktheu në gol Ronaldo. Pikërisht në atë njëmbëdhjetëmetërsh gardiani i portës bardhezi u ndëshkua me karton të kuq për kontestimet.
Buffon në fakt ka polemizuar me hakërrimin ndaj gjyqtarit Oliver. Sipas asaj çka tha vetë italiani, ai i qe drejtuar 33-vjecarit nga Ashingtoni duke i thënë se “ishte pa personalitet dhe se në vend të zemrës kishte një kazan plehrash”. “Nëse s’ke personalitet më mirë ndeshjet shko e ndiqi nga tribuna duke ngrënë patatina” – ishin fjalët e rënda të Buffon, i cili theksonte sërish se një ndeshje e niveleve të atilla sikurse ishte përballja Real-Juventus nuk mund të shkërmoqej në fund me një vendim aspak pro-sportit. Megjithatë Buffon në fund i komplimentoi lojtarët e Realit dhe tha se ata e merituan kualifikimin.