UCL, Benzema ndëshkon sërish Liverpool-in; Reali kalon më tej

Sport

Real Madrid ka arritur të nderojë në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen e 300 në historinë e klubit në ‘UEFA Champions League’, jo vetëm duke siguruar kualifikimin më tej, por edhe duke e mposhtur sërish Liverpool-in. Përpara tifozerisë së tyre në ‘Santiago Bernabeu’, madrilenët u shfaqën mjaft agresivë, duke e kërkuar golin në disa momente me Vinicius, Benzema apo me goditjet nga distanca të Modric e Camavinga. Mirëpo rezultati do të zhbllokohej vetëm në minutë ne 78, kur pas një pasimi mjaft të bukur të Camavinga-s dhe një kaos të krijuar në qendër të zonës, Vinicius shtyu topin drejt Karim Benzema, që me portë të boshatisur e pati shumë të thjeshtë të realizonte. Ky ishte goli i tetë që sulmuesi francez i shënon Liverpool-it në ‘Champions League’ në gjithë përballjet mes tyre, duke u bërë lojtari që e ka gjetur më shumë herë golin ndaj ‘the reds’. Për kapitenin e ‘los blancos’, kjo ishte ndeshja e 129 me fanellën e klubit spanjoll në elitën e futbollit europian, duke barazuar Sergio Ramos, ndërkohë që para tij qëndrojnë vetëm Iker Casillas dhe Raul Gonzalez. Po ashtu, Benzema numëron tashmë 33 gola në ndeshjet e fazës me eleminim direkt dhe më mirë se sa ai bëjnë vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Ndërkohë Real Madrid siguron kalimin drejt çerekfinaleve për të 19-n herë në epokën e re të ‘Champions League’-ës dhe vetëm Bayern Munich ka bërë më mirë me 21 paraqitje në atë fazë, duke llogaritur edhe kualifikimin e këtij sezoni.