UCL/ Benfica një hap larg çerekfinales

Sport

Benfica është vetëm një hap larg nga faza çerekfinale e UEFA Champions League. Në raundin e parë të 1/8-tave, shqiponjat arritën një fitore mjaft të rëndësishme me rezultatin 2-0 në transfertën e Club Brugge.

Pas një fraksioni të parë më rrjeta të paprekura, ishte pikërisht fraksioni i dytë që dhuroi momentet më të mira të sfidës. Kur skuadrat kishin vetëm 6 minuta që ishin rikthyer në fushë, Joao Mario kaloi në epërsi ekipin e tij, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Ky ishte finalizimi i 17-të i portugezit këtë sezon në 34 ndeshje të luajtura. Ndonëse është mesfushor, këto të dhëna e përafrojnë 30 vjeçarin të krahasohet me sulmuesit më në formë të momentin në ligat më të forta të Europës.

Ndërkohë, dy minuta përpara fundit të kohës së rregullt, David Neres dyfishoi shifrat për skuadrën e Roger Schmidt, që edhe një herë tjetër konfirmoi ecurinë e jashtëzakonshme këtë edicion në Champions League. Në 7 ndeshje të luajtura deri në këtë fazë, Benfica nuk e ka njohur asnjëherë humbjen, teksa me rezultatin e arritur në Belgjikë, e shikon gjithnjë e më pranë fazën çerekfinale të Champions League.

Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar. Akti i kthimit mes këtyre skuadrave do luhet në datën 7 Mars në “Estadio da Luz”.