Kalendari ishte favorizues për Realin e Madridit këtë fundjavë, kjo pasi ata nuk kishin angazhim. Sevilla, skuadra që ata kishin si kundërshtarë, ishte e angazhuar në finalen e Kupës kundër Barcelonës dhe për këtë Zinedine Zidane kishte mjaftueshëm kohë për t’u fokusuar te përballja gjysmë-finale me Bayernin në Champions League, që është dhe trofeu i vetëm i mbetur në lojë për ata. Por duhet thënë se edhe Bayerni pati të njëjtin fokus edhe pse ndryshe nga kampionët në fuqi, ata luajtën në fundjavë. Përballja me Hannoverin në transfertë përfundoi 3-0 dhe me Jupp Heynckes që la në stol 6 lojtarë kryesorë, mes të cilëve dhe Lewandowsky-in. Në fakt polaku kur u hodh në fushë realizoi golin e 104 me fanellën e bavarezëve në kampionat duke u bërë golshënuesi historik i klubit, për sa i përket lojtarëve jogjermanë. Klasikja e Evropës luhet fillimisht në Munich të mërkurën dhe problemet më të mëdha duket se i ka Bayerni, skuadra që synon sërish tripletën 5 vite pas suksesit të fundit. Lëndimeve të Tolissos, Koman dhe Neuer i janë shtuar edhe ato të Alabas dhe Vidalit. Në anën tjetër Zidane ka të lënduar vetëm Nachon, i cili sipas shtypit spanjoll ka punuar fort në fundjavë për t’u riaftësuar. Portieri Keylor Navas ka marrë së fundmi bekimin e Presidentit Perez, pavarësisht gafave ndaj Juventusit dhe ndërkohë Cristiano Ronaldo kërkon të thyejë rekordin personal të 17 golave brenda një sezoni të Champions League-ës. Aktualisht është në kuotën 15 dhe rekrodin do të provojë ta thyejë që në Munich.