UCL/ Barcelona fiton ndeshjen e parë çerekfinale ndaj PSG

Sport

Barcelona fiton ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League ndaj PSG në transfertë. Në Parc des Princes, katalanasit triumfuan me rezultatin 3-2. Ishin pikërisht vizitorët ata që do të kalonin të parët në avantazh, me anë të Raphinhas në minutën e 37 të takimit.

Mirëpo pas pushimit, kur ekipet kishin vetëm 3 minuta që ishin rikthyer në fushën e lojës, Ousmane Dembele ndëshkoi ish-skuadrën e tij, duke barazuar në këtë mënyrë edhe rezultatin e përgjithshëm. Madje, francezi nuk nguroi edhe të festonte ndaj Barcelonës, teksa për një gjë të tillë është komentuar jo pak në rrjetet sociale, pasi një veprim I tillë është konsideruar mungesë respekti ndaj skuadrës katalanase, duke qenë se atje luajti për 6 sezone.

Për t’u rikthyer tek sfida, nga goli I Dembele do të kalonin vetëm 3 minuta, kur në të 48-tën Parisi realizoi edhe golin e përmbysjes me anë të Vitinhas. Vendasit krijuan përshtypjen sikur morën gjithçka nën kontroll, mirëpo miqtë nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit.

Në të 62-tën, Raphinha shënoi sërish për Barcelonën, duke e dërguar rezultatin në 2-2. Ky ishte dygolëshi I parë I brazilianit me fanellën e Barcelonës, e po ashtu këta ishin edhe dy golat e tij të parë në Champions League me ekipin katalanas. Po ashtu, Raphinha është lojtari I parë I Barcelonës që nga viti 2019 që shënon 2 gola në fazën me eliminim të Champions League. I fundit që e kishte bërë diçka të ngjashme për 5 herë kampionët e Europës, ishte Lionel Messi në vitin 2019 ndaj Liverpool.

Më tej, golin e tretë dhe të fitores për miqtë, e shënoi mbrojtësi Christensen në minutën e 77. Në këtë mënyrë, mbrëmja në Parc des Princes për Barcelonën, nuk mund të kishte shkuar dot më mirë. Ndonëse ka edhe një ndeshje për të luajtur, për shkak të këtij avantazhi, katalanasit tanimë mund të konsiderohen më të avantazhuar për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, për më tepër që akti I kthimit do të luhet në fushën e tyre. Barcelona – PSG do të zhvillohet të Martën e 16 Prillit.