UCL/ Barcelona drejt kualifikimit, një tjetër djalosh i akademisë bën diferencën

Sport

Pas dy sezoneve problematike në Champions League, më në fund, Barcelona është rikthyer në shina. Në javën e 3-të të fazës së grupeve, katalanasit kanë arritur të marrin po kaq fitore, me të fundit të regjistruar mbrëmjen e së mërkurës ndaj Shakhtar Donetsk në shtëpi, me rezultatin 2-1.

Si fillim ishte Ferran Torres në minutën e 28-të, kurse në të 36-tën, Fermin Lopez do të përshëndeste rrjetën për herë të dytë me një gjuajtje nga distanca. Duke përfituar edhe nga mungesat e shumta në skuadrën katalanase, djelmoshat e akademisë po e shpërblejnë në maksimum trajnerin Xavi Hernandez me besimin që ky i fundit u ka dhënë atyre.

Vetëm 20 vjeç e 167 ditë, Fermin Lopez është bërë një prej 5 lojtarëve më të rinj të Barcelonës që ka debutuar me gol si titullar në Champions League. Një gjë të tillë përpara tij e kanë bërë Giovani dos Santos, Pablo Torre, Sergi Roberto, Sergio Busquets, që të gjithë produkte të akadamisë së famshme, “La Masia”.

Golin e vetëm të Shakhtarit e realizoi Sudakov në pjesën e dytë, por ukraniasit nuk mundën të bënin dot më shumë.

Sa i përket sfidës tjetër të Grupit H, Porto triumfoi me rezultat të thellë 4-1 ndaj Antverp në transfertë. Në rrethana si këto, Barcelona kryeson Grupin me 9 pikë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, ndjekur nga dragonjtë portugezë të Portos me 6. Më pas vjen Shakhtari me 3 dhe Antverpi që mbyll klasifikimin me vetëm 1 pikë.