UCL, Alderweireld: Tek Tottenham po stërviten si të çmendur për finalen

Sport

Të triumfosh në një finale të ‘Champions League’-ës është absolutisht një nga arritjet më të rëndësishme për karrierën e një lojtari, por kur kësaj i bashkangjitet edhe arritja e klubit, gjërat bëhen speciale. Tek Tottenham tashmë besojnë shumë, dhe Toby Alderweireld zbulon se lojtarët janë stërvitur si të çmendur, për të qenë në formën më të mirë përpara ndeshjes me Liverpool. Mbrojtësi i Tottenham thotë se shokët e tij të skuadrës duken sikur sezoni sapo të ketë filluar, e jo sikur kanë zhvilluar mbi 50 ndeshje. Pjesëmarrja në finales sipas belgut ka shtuar dëshirën dhe harmoninë brenda grupit, dhe të gjithë përpiqen të shijojnë çdo moment sa më shumë të jetë e mundur. 30-vjeçari e ka provuar më parë të jetë në një finale të ‘Champions League’, kur luante për Atletico Madrid, që mposhtej nga rivalët e Realit.

Alderweireld thotë se tashmë është një lojtar shumë më i pjekur dhe e di shumë mirë se çfarë duhet të bëj për të mos përsëritur ndonjë gabim. Sa i përket ‘Spurs’-ave, mbrojtësi u shpreh se pavarësisht kënaqësisë që arritën për herë të parë në historinë e klubit një finale kaq të rëndësishme, lojtarët dhe trajneri Pochettino duan që të dalin triumfues. Puna e fortë që po bëhet në stërvitje ka si qëllim vetëm të nxjerrë më të mirën e lojtarëvë. Ndërsa sa i përket kuotave, që shohin Liverpoolin si favorit, Alderweireld përgjigjet se e njëjta gjë ndodhi edhe kur Tottenham u vu përballë Manchester City apo Ajax, por ja që në finalen e Madridin janë pikërisht londinezët.